Aplikacion
Dy persona rrezikuan jetën mëngjesin e sotëm në Tiranë kur një skelë e një pallati në ndërtim ra mbi to, duke i plagosur.
Babë e bijë po ecnin në trotuar kur skela një pallatit që po ngrihet buzë Lanës u shkëput.
Ata u dërguan në spital dhe po mbahen në kujdesin e mjekëve.
Policia ka shoqëruar inxhinerin e kompanisë dhe po verifikon nëse janë zbatuar kushtet e sigurisë.
Ndërtesa gjigande që ka zaptuar edhe trotuaret e Bulevardit Gjergj Fishta po ndërtohet nga kompania ” Arlis Ndërtim”. Kjo kompani është e njohur për institucionet shqiptare, për shkak se është përmendur jo pak herë për abuzime.
Arlis është zhvilluesi i kullës në qendër të Tiranës “Eye of Tirana”, ku ndërtoi të paktën 7 kate pa leje. Abuzimi u zbulua vetëm kur kryeministri Edi Rama e denoncoi publikisht fenomenin, duke iu referuar pikërisht pallatit të “Arlis Ndërtim” buzë sheshit Skënderbej.
E njëjta kompani në vitin 2019 u akuzua se prishi një lulishte për të ndërtuar një pallat shumëkatësh, në zonën e 21 Dhjetorit. Projekti i pagëzuar si “Square 21” ngjalli protesta të banorëve të zonës.
Kompania “Arlis Construction -Ndërtim” dyshohet se ka shkelur rregullat e ndërtimit edhe në një projekt tjetër, pranë Farmacisë 10, në Tiranë.
Shkelja aty ka të bëjë me mosrespektimin e distancave dhe përvetësimin e një toke shtetërore në pronësi të konvikteve të Universitetit të Mjekësisë, sipas disa burimeve të Zoom.al.
Kompania “Arlis-Ndërtim,” zotërohet nga Armand Lilo, kushëriri i bashkëshortes së ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe konsiderohet si një ndër ndërtuesit e preferuar të qeverisë dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi pak javë më parë denoncoi lidhjet e interesit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe kompanisë “Arlis Ndërtim” të Armand Lilos.
Sipas Këlliçit, Veliaj i ka dhënë leje Armand Lilos në toka publike dhe në objekte të Bashkisë së Tiranës.
Pjesë nga denoncimi i Këlliçit:
Po përse është Arlis Ndërtim një nga të preferuarit e Erion Velisë?
Le ta ilustrojmë me një rast tjetër konkret:
Më 21.09.2017, Erion Veliaj i jep kësaj kompanie një leje ndërtimi për projektin famoz në rrugën e Kavajës SQUARE 21, pronë mbi të cilën janë të regjistruara disa ndërtesa në pronësi të shtetit.
Për të mbuluar lejen që Veliaj jep për Arlis-Ndërtim mbi godinat shtetërore dhe për të shtuar fitimet e Armand Lilos, disa muaj më vonë, me propozim të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, miratohet VKM Nr. 285, datë 21.05.2018, që kalon në pronësi të Bashkisë Tiranë 13 prona dhe ndërtesat mbi to, për zhvillim ekonomik.
5 muaj më vonë, me anë të vendimit të Këshillit Bashkiak Nr. 146, datë 15.11.2018, Bashkia Tiranë dhe Arlis Ndërtim nisin negocimin për ndërtimin e një godine disakatëshe në funksion dhe favor të Bashkisë Tiranë, dhe në këmbim Bashkia do ti jepte kompanisë Arlis Ndërtim trojet e lartpërmendura si dhe do të miratonte prishjen e të gjitha godinave të kaluara me VKM në pronësi të saj.
Bëhet fjalë për pasurinë truall 6399.78 m2 dhe 5903.39 m2 ndërtesa mbi të, por që më pas, bashkia i deklaron të shembura totalisht.
Bashkia Tiranë do të miratonte dhe shembjen e godinave të administratës së Bashkisë Tiranë, me drejtorinë e taksave dhe Policinë Bashkiake.
Nga ana tjetër, Arlis Ndërtim do të ndërtonte për llogari të Bashkisë Tiranë një godinë 5-katëshe, me sipërfaqe 4400 m2
Historia vijon me disa Vendime të tjera të Këshillit Bashkiak, në kohën kur ishte e gjitha në duart e socialistëve, të cilat shtojnë sipërfaqen e truallit, dhe zvogëlojnë sipërfaqen e godinave mbi të.
Pra Erion Veliaj dhe favoret e tij ndaj kompanisë Arlis Ndërtim e Armand Lilos, janë të shtrira në pazare financiare të pastra, por për këto pazare kryebashkiaku do të duhet të japë sqarime përpara drejtësisë./Zoom.al
Pse mamaja e Markut s’është e preferuara e saj? Rudina Dembacaj flet hapur: S’jetoj me të!