zoom

Aktualitet

SYRI I TIRANËS / Manipulime me matjet dhe a po fsheh AZHT një skandal me taksat në zemër të kryeqytetit?

SYRI I TIRANËS / Manipulime me matjet dhe a po fsheh AZHT një skandal me taksat në zemër të kryeqytetit?

Një denoncim për AZHT – dyshime për përfshirje në aferat me kullën “Syri i Tiranës” të biznesmenit kontrovers Armand Lilo – a janë manipuluar matjet? Për të sqaruar plotësisht situatën, matjet e ndërtesës duhet të kryhen nga e para.

Nga Zoom.al

Në mes të Tiranës, aty ku një metër katror ndërtim kushton mbi 5 mijë euro, disa ndërtues guxuan të ngrejnë kate të tërë pa leje, si rastin e kullës së njohur me emrin “Syri i Tiranës”. 

 Në shtator të vitit 2022, pa një lumi kritikash publike të kryeministrit Edi Rama, IKMT  konstatoi se në kullë kishte mijëra metra katrorë shtesë pa leje. Bëhej fjalë për të paktën 5 kate. 

Për ndërtimin e këtyre kateve ishte dashur më shumë se 1 vit pune përditshme nën syrin e të gjitha institucioneve, veçanërisht bashkisë së Tiranës të drejtuar nga Erion Veliaj, një mik i ngushtë i ndërtuesit të kullës, Armand Lilo.

LEXO EDHE:

Lexo edhe:

Për këtë u vendos edhe një gjobë rreth 162 milionë lekë. Po atë periudhë qeveria njoftoi se metrat katrorë shtesë do të konfiskoheshin dhe do të kalonin në pronësi të shtetit për interes publik.  

Më pas, u vendos që katet pa leje mund të ribliheshin nga ndërtuesit. Por tani, një denoncim i mbërritur në redaksinë e Zoom.al hedh dyshime për një tjetër aferë me këtë kullë. Denoncuesi flet për manipulime në matjen e sipërfaqes me qëllim shmangien e taksave. Denoncimi përmend edhe rolin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, AZHT, e drejtuar nga Adelajda Roka, duke ngritur dyshime mbi mënyrën si janë kryer dhe raportuar matjet.

Sipas denoncimit, për shtesën e ndërtuar në kullë nuk janë paguar taksat përkatëse pasi matjet dyshohet se janë manipuluar dhe sipërfaqja është ulur qëllimisht. Këto matje, gjithnjë sipas burimit, janë bërë nga AZHT dhe i janë përcjellë më pas bashkisë së Tiranës, institucionit që ka kompetencën për të llogaritur dhe mbledhur detyrimet fiskale për ndërtimet.

Ndërtuesit paguajnë taksa të ndikimit në infrastrukturë dhe tarifa të tjera vendore, të cilat llogariten mbi bazën e sipërfaqes së ndërtuar. Nëse sipërfaqja reale e një ndërtese është më e madhe se ajo që është deklaruar, diferenca përkthehet në taksë të papaguar për Bashkinë dhe miliona euro detyrime fiskale të shmangura.

Sipas denoncimit të mbërritur në Zoom.al, pikërisht kjo dyshohet të ketë ndodhur edhe në rastin e “Syrit të Tiranës”.Zoom.al i është drejtuar zyrtarisht me kërkesë për informacion këtij institucioni dhe Bashkisë së Tiranës. 

Nëse konfirmohet, “Syri i Tiranës” do të përfshihet në një tjetër skandal, që këtë herë do të prekë edhe institucione të tjera të rëndësishme si AZHT. Për të sqaruar plotësisht situatën, matjet e ndërtesës duhet të kryhen nga e para. Ky proces do të duhet të përfshijë verifikim fizik nga Inspektoriati Qëndror dhe kontroll nga administrate tatimore. Po ashtu, prokuroria e Tiranës mund të nisë hetimet nëse do të konstatojë shkelje.

Postime të lidhura