Aplikacion
Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vijuar sot gjykimi në themel ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe 16 personave të tjerë dhe 12 shoqërive të përfshira në çështje.
Në seancë ishte i pranishëm edhe Fatjon Baçi, ish-polic i burgjeve, i cili dyshohet se i ka dhënë telefonin Veliajt për të komunikuar gjatë shoqërimit në paraburgimin e Durrësit, ndërsa vetë kryebashkiaku nuk ishte i pranishëm.
Seanca u shoqërua me debate mes prokurorit Ols Dado dhe avokatit Maks Haxhia, i cili përfaqëson Ajola Xoxën. Ndërkohë, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me të gjithë materialin hetimor, duke pretenduar se dosja është voluminoze dhe se mungojnë disa fashikuj.
Nga ana tjetër, disa prej të pandehurve dhe avokatëve të tyre kërkuan ndarjen e çështjes dhe gjykim të shkurtuar. Avokatja Romina Zano kërkoi ndarje të çështjes për klientin e saj Elman Abule, duke argumentuar se rasti i tij duhet të shqyrtohet nga një gjykatë tjetër për shkak të kompetencës lëndore. Kërkesa të ngjashme u paraqitën edhe nga mbrojtës të tjerë, të cilët ngritën shqetësime për juridiksionin dhe zhvillimin e procesit.
Gjatë seancës pati përplasje verbale mes përfaqësuesve ligjorë, ndërsa gjyqtarja Engjellushe Tahiri ndërhyri për të rikthyer rendin, duke theksuar se të gjithë janë në proces në cilësinë e mbrojtësve ligjorë.
Ndërkohë, Fatjon Baçit iu caktua një avokate kryesisht, ndërsa gjykimi pritet të vijojë me shqyrtimin e kërkesave të palëve dhe administrimin e provave.
Debati në sallë:
Maks Haxhia që mbron Ajola Xoxën: Jam legjitimuar të ndjek ligjin. Avokatët që keni caktuar kryesisht janë njohur me dosjen hetimore apo jo? Pra përfaqësuesja ligjore Pranvera Doçi e caktuar kryesisht për Fatjon Baçin. Duam të bëjmë proces jo sa për të pasur një avokat. Ka një këshill disiplinor atje dhe e shohim…. Të lutem prokuror të mbaroj unë. Sepse po bëhet qesharak procesi.
Ols Dado i drejtohet Maks Haxhisë: Nuk je kryetar i dhomës zotëri je avokat i të pandehurit. Këtu përfaqësoni tagra të të tjera
Maks Haxhia: Iu drejtova gjykatës.
Ols Dado: Mos e lejoni e nderuar gjykatë të flasë.
Maks Haxhia: Ju keni pushtetin, ne kemi fjalën do të flas, ti mos fol
Ols Dado: pse ti urdhëron të flasë apo të mos flas unë
Gjyqtarja Engjellushe Tahiri: Si ju ashtu edhe Maks Haxhia mbroni të pandehur në proces. Ju mund të keni tagra të tjera por këtu jeni vetëm mbrojtës ligjor.
Plarent Ndreca, avokati i Veliajt: Jeni ju të që vendosni. Të gjithë cka janë këtu janë për shkak të gjyqit të Erion Veliajt. Dhe cilësitë e një avokati nuk mund të ndalen nëse shikohet një problematikë. Ju kam kërkuar orare se kur unë të vijë në gjykatë dhe të konsultohem me dosjen. Më 26/03 kam filluar studimin e dosjes dhe mu tha se do vijnë në mënyrë elektronike unë kam qënë fizikisht në gjykatë për të fituar kohë dhe për të lexuar 60 mijë faqe dhe 1 mijë e më shumë prova. Mungojnë fashikujt nga 142 deri tek 146. Dua të shqyrtoj se çfarë mungon nga kjo dosje. Rrezikon qe ky proces të bie ndesh me konventën europiane.
Romina Zano, avokate e Elman Abule: Kemi kërkuar ndarje të çështjes dhe gjykim të shkurtuar për klientin tim Elman Abule. Arsyeja pse kërkojmë ndarjen lidhet me shkaqet procedurale. Ndodhemi në fazë shqyrtimi gjyqësor dhe vlerësojmë se mbajtja e procedimit të përbashkët do cënonte qartësinë e procesit për klientin tim. Vepra penale që akuzohet Elman Abule lidhet me gjykatë të juridiksioni tjetër dhe jo Gjykatës së Posacme. Pra ndryshe kompetenca lëndore duhet të shkojë në një gjykatë tjetër. Faktet për Elman Abulen janë të pavarura me të pandehurit e tjerë.
Avokat Dritan Jahja- I pandehuri Mirton Likaj- Shoqeria Lani Shpk: kjo gjykatë nuk është kompentente për këtë vepër që akuzohet klienti im. Kërkoj që të shkojë në Gjykatë të Tiranës.
Avokati Frosina Bollo: Gjykim të shkurtuar përmban kërkesa jonë e kemi bërë dhe në seancë paraprake por kërkojmë edhe ndarjen e cështjes.
Edhe Adela Kondakçiu kërkoi ndarjen e çështjes përmes avokatit Leonard Prenga.
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari