zoom

Lajme

Harta e 1986-ës zbërthen grabitjen te Mjekësia: Si u zhdukën dushet, lavanteria dhe depot e studentëve për pallatet e “Arlis” të Armand Lilos 

Harta e 1986-ës zbërthen grabitjen te Mjekësia: Si u zhdukën dushet, lavanteria dhe depot e studentëve për pallatet e “Arlis” të Armand Lilos 

Zoom.al publikon sot ortoimazherinë e vitit 1986, e cila shërben si prova kryesore e krimit pronësor te Konviktet e Mjekësisë. Fotoja ajrore dokumenton se zona e privatizuar fshehurazi nga kompania “Arlis Ndërtim” nuk ishte një oxhak i vjetër kaldaje, por një kompleks i tërë funksional që ofronte cikle të plota shërbimesh për mijëra studentë.

Nga Zoom.al

Ndërsa zyrtarët e Rezidencës Studentore Universitare Nr. 2 (RSU 2) dhe Bashkisë Tiranë u përpoqën ta kalonin tjetërsimin e pronës shtetërore në llogari të komanisë “Arlis Ndërtim” si një shkëmbim teknik për një kaldajë të vjetër, ortoimazheria e vitit 1986 tregon përmasat e një vjedhjeje të pastër të pasurisë publike.  

Në dokumentet noteriale dhe vendimet e Këshillit Mbikëqyrës të RSU 2, referenca bëhet vetëm për “godinën e Kaldajës” me një sipërfaqe teknike prej rreth 110 m² dhe një ndërtesë tjetër prej 84 m². Por ortoimazheria e 1986-ës tregon një realitet urban plotësisht tjetër. Në këtë gjurmë që sot është kompleksi i djegur i “Arlis Ndërtim”, me pronar shtetasin Armand Lilo, (kushëri i bashkëshortes së deputetit Fatmir Xhafaj, sipas disa raportimeve mediatike) ngriheshin disa godina që formonin një cikel të plotë shërbimesh.

Harta e vjetër tregon se aty ngrihej lavanderia qëndrore, infrastruktura sanitare për qindar banorë të konvikteve, përfshirë dushet e studentëve, kaldaja që furnizonte me nxehtësi gjithë kompleksin dhe depot e mazutit dhe qymyrit. 

Diferenca mes ortoimazherisë së 1986-ës dhe asaj që zyrtarët regjistruan në Kadastër në vitet 2017-2019 tregon mekanizmin e krimit.

LEXO EDHE:

Lexo edhe:

Vjedhja e pronës hap pas hapi

Një raport i Kontrollit të Shtetit gjeti se si hap të parë, zyrtarët e RSU 2 nuk i inventarizuan godinat e shërbimeve (lavanterinë, dushet) si objekte të veçanta, por i lanë të shkriheshin nën emërtimin e përgjithshëm si “kaldaja”.

Hapi i dytë ishte reduktimi fiktiv i truallit. Duke e trajtuar si një oxhak, trualli përreth tij u la pa status, duke u bërë pre e lehtë për lejet e ndërtimit të komanisë “Arlis”.

Ortoimazheria e 1986-ës tregon se shteti ka pasur një pronë me vlerë të jashtëzakonshme sociale dhe ekonomike, por ajo u asgjësua në letër për t’u kthyer në fitim kolosal për Armand Lilon.

Auditi i KLSH-së ka konstatuar shkeljet dhe dëmin financiar. Ortoimazheria e 1986-ës e fakton atë katërcipërisht. Administratorët e RSU 2 (Zhanina Dapi dhe të tjerë) hodhën firmën mbi asgjësimin e ciklit të shërbimeve të studentëve, në këmbim të një sipërfaqe 69 m² në katin e tretë të pallatit të Armand Lilos që u dogj nga zjarri. Se për çfarë shërben kjo hapësirë dhe nëse ajo përdoret sot nga RSU 2, mbetet e paqartë. 

KRAHASO FOTOT:

LEXO EDHE: https://zoom.al/ekskluzive-square-21-i-armand-lilos-paralajmeron-nje-tjeter-katastrofe-alarmi-pas-fasades-luksoze/

Ortoimazheria e 1986-ës, provë ulëritëse për SPAK 

Nëse një qytetar normal me burime ‘Open Source’ arrin të faktojë, përmes kësaj fotoje ajrore, se aty ka qenë një qendër shërbimesh (lavanteri, dushe) dhe se dëmi urban është mijëra m², si ka mundësi që SPAK po pret prej 4 vitesh për të arrestuar përgjegjësit e këtij krimi urban që po ndodh në dritë të diellit? Kjo është pyetje që ngre njëri nga audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, që skandalin po e denoncon edhe publikisht. 

Për disa, ortoimazheria e 1986-ës mund të jetë një foto nostalgjike që na tregon se si ka qenë zona para shpërthimit të betonit pas rënies së komunizmit. Por për SPAK ajo është një provë e fortë për të provuar masakrën me pronën publike në interes të Armand Lilos. 

© Zoom.al. Ripublikimi i këtij artikulli bëhet vetëm duke cituar burimin

Postime të lidhura