Aplikacion
Përmes call center-ave, qytetarët evropianë mashtrohen për të investuar në platforma fiktive Forex dhe Kripto. Fondet futen në Shqipëri përmes tregut informal të kriptomonedhave. Në këtë skemë bashkëpunojnë edhe disa pika të këmbimit valutor, Exchange.
Nga Zoom.al
Një operacion masiv policor në Tiranë ka çuar në sekuestrimin e 1 milion eurove cash dhe prangosjen e disa personave të përfshirë në një rrjet ndërkombëtar mashtrimi.
Hetimi dyvjeçar, i koordinuar me autoritetet gjermane dhe austriake, zbuloi tre qendra call center pranë Kopshtit Zoologjik dhe Rrugës së Kavajës që shënjestronin qytetarët evropianë përmes platformave të rreme të investimeve.
Gjykata ka caktuar masa sigurie për disa individë të përfshirë në menaxhimin e këtyre qendrave.
Arrest me burg u caktua për shtetasit Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi, Xhoel Mekolli, Marsel Lami dhe Xhoji Hitaj.
Detyrim paraqitjeje u caktua për Aida Vokli dhe Ledjon Cenaj.
Gjatë kontrolleve u gjetën dhjetëra operatorë, rreth 60 vetëm në një pikë, duke dëshmuar për një strukturë të mirëfilltë industriale mashtrimi.
U sekuestruan 443 kompjutera, 238 telefona celularë, 6 laptopë dhe pajisje të tjera si HDD, DVR etj., që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e aktivitetit kriminal. Hetimet e autoriteteve shqiptare dhe austriake vijojnë për të dokumentuar plotësisht rolin personave të përfshirë në këtë rrjet që ka dëmtuar me miliona euro kursimet e shtetasve të BE-së.
LEXO EDHE:
Dyshimet, kush qëndron pas rrjetit të call center -ave?
Ndonëse operacioni goditi hallkat menaxhuese, burimet hetimore dhe raportimet mediatike drejtojnë gishtin nga shtetasi Granit Pepnika. Ai është përfolur disa herë në media si person i lidhur me këtë aktivitet dhe një ndër bosët kryesorë të rrjetit të mashtrimeve me call center-a.
Megjithatë policia nuk ka mundur deri tani ta ndalojë atë. Pepnika rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë për vjedhje me dhunë, dënim i konfirmuar edhe nga Gjykata e Lartë në prill 2024.
Ai dyshohet se menaxhon injektimin e parave të vjedhura në ekonominë shqiptare përmes kompanive fasadë, investimeve në pasuri të paluajtshme dhe automjete luksoze.
Sipas të dhënave të marra në QKB, Pepnika dhe bashkëshortja e tij Anisa Pepnika, kanë një rrjet kompanish, që dyshohet se shërbejnë për të pastruar paratë e fituara me call center -a.
Drita Energji shpk: E krijuar në shkurt 2023 për prodhim energjie. Ndonëse zotërohet nga çifti Pepnika, ajo nuk zotëron asnjë licencë nga ERE dhe nuk ka dorëzuar asnjë bilanc.
A&G Invest shpk: E fokusuar në ndërtim, pasuri të paluajtshme dhe tregti automjetesh. Edhe kjo kompani operon pa pasqyra financiare të dokumentuara.
GAMA Media Communication shpk: Me seli te “Torre Drin”, kjo kompani ka si objekt marketingun dhe shërbimet IT (telemarketing), fusha që lidhen drejtpërdrejt me industrinë e call center-ave.
ARHANA shpk & Brandet e Bukurisë: Kjo kompani mbulon sallonin IBC Nails dhe markën Louve Club. Dyshohet se këto biznese premium shërbejnë për të qarkulluar shuma të mëdha cash në tregun e bukurisë, pa asnjë kontroll fiskal.
AAA Taxi shpk: E krijuar në vitin 2024, dyshohet se flota e saj përdoret jo vetëm për transport, por si një mbulesë logjistike për lëvizjen e parave fizike jashtë sistemit bankar.

Mekanizmi i pastrimit të parave, një skemë me 3 faza
Struktura funksionon sipas një cikli të mirëfilltë të pastrimit të produkteve të veprës penale.
Faza e pare: Përmes call center-ave, qytetarët evropianë mashtrohen për të investuar në platforma fiktive Forex dhe Kripto. Fondet futen në Shqipëri përmes tregut informal të kriptomonedhave. Në këtë skemë bashkëpunojnë edhe disa pika të këmbimit valutor, Exchange.
Faza e dytë: Paratë e paligjshme “injektohen” në kompanitë e mësipërme si kapital nga ortakët ose si pagesa për shërbime që nuk janë kryer kurrë, pra me faturime fiktive.
Faza e tretë: Fondet e pastruara përdoren për blerje asetesh luksoze, prona të paluajtshme në zonat elitare të Tiranës dhe automjete të shtrenjta, duke u paraqitur tashmë si të ardhura legjitime biznesi.
Homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti, Aurela Gaçe me lot në sy: Do e mbaj premtimin