zoom

Aktualitet

PAMJET e aksionit në call center-at në Tiranë, sirtarët të mbushur me para

PAMJET e aksionit në call center-at në Tiranë, sirtarët të mbushur me para

Policia dha informacion zyrtar për operacionin kundër mashtrimeve kompjuterike të zhvilluar në Tiranë, ku autoritetet goditën tre call center-a të dyshuar për përfshirje në skema mashtrimi ndaj qytetarëve evropianë.

Aksioni, i koduar “Ghost Call”, u finalizua pas rreth dy vitesh hetime intensive.

Si rezultat, u arrestuam 10 persona, ndërsa për disa të tjerë u vendosën masa sigurie dhe një pjesë janë shpallur në kërkim. Sipas hetimeve, të dyshuarit kishin role të ndryshme në strukturën e organizuar, duke përfshirë drejtimin e ekipeve dhe kryerjen direkte të mashtrimeve përmes telefonatave dhe platformave online.

Me vendim të Gjykatës së Tiranës, janë ushtruar kontrolle në tre ambiente biznesi dhe në disa banesa të personave të përfshirë. Gjatë ndërhyrjes, policia ka konstatuar operatorë në punë, të cilët dyshohet se po kryenin aktivitete mashtruese në kohë reale.

Nga operacioni janë sekuestruar rreth 891 mijë euro, që dyshohet se janë përfituar nga kjo skemë, si dhe një sasi e madhe pajisjesh elektronike, përfshirë qindra kompjuterë, telefona dhe pajisje të tjera teknologjike që përdoreshin për realizimin e mashtrimeve.

Siç duket edhe në pamjet e shpërndara nga policia, paratë ishin të futura në zarfë dhe mbaheshin në sirtarët e tavolinave të punës.

Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritete ndërkombëtare, përfshirë ekspertë nga Europol dhe struktura partnere nga Austria, pas informacioneve të para që çuan në zbulimin e kësaj veprimtarie./ Zoom.al

Postime të lidhura