Aplikacion
Prokuroria e Tiranës ka dalë me një informacion zyrtar sa i takon operacionit më 13 prill, ku u goditën 3 call center-a në kryeqytet.
Dy personat kyçë që përfitonin kriptovaluta në Tiranë, duke i kthyer ato më pas në para në pika të këmbimit valutor janë Mateo Hoxha dhe Tedi Agstra.
Sipas dosjes hetimore, dy të arrestuarit me urdhër të SPAK kanë përfituar përmes mashtrimit kompjuterik të mijëra qytetarëve europianë me “Call Center”, 8 milionë dollarë në formën e kriptovalutave.
Mateo Hoxha, 24 vjeç, sipas hetimeve, kishte përfituar 3.2 milionë dollarë, ndërsa Agastra, 23-vjeç, përfitoi 4.8 milionë dollarë.
“Të dy gjatë vitit 2024 kanë marrë vlera të konsiderueshme në adresa kripto dhe më pas i kanë transferuar në adresa të tjera kripto,”- thuhet në dosje. Një veprim ky, sipas SPAK, për të humbur gjurmët.
Tedi Agastra, është hetuar më parë nga Prokuroria e Tiranës, në 2024-ën, në një çështje ku u lëshuan 19 urdhër-arreste për veprat penale të “Ushtrimi pa licencë të veprimtarive financiare” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Janë caktuar masat arrest me burg për 7 persona, për 2 të tjerë “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim paraqitje”, kurse 5 persona të tjerë u arrestuan në flagrancë në ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm.
Skema e mashtrimit të call center-ave
Operatorët ishin të ndarë në grupe të ndryshme sipas gjuhëve (gjermanisht, anglisht, italisht) dhe synonin tregje të caktuara ndërkombëtare. Çdo grup përbëhej nga 6-8 agjentë dhe mbikëqyrej nga drejtuesi që i monitoronte. Puna e personave që zotëronin gjuhën Italiane, konsistonte në kryerjen e telefonatave të qytetarëve Italianë ku i ofronin shërbimin e rekuperimit të parave, të cilat i kanë humbur në investime të mëparshme në ‘trading online’ dhe në rast se personat ishin të interesuar, i udhëzonin më pas të hapnin një llogari në “Coin Baze”, me depozitim fillestar 500 Euro.
Detyra e operatorëve ishte vetëm të bindnin klientët për të bërë pagesën fillestare prej 500 Euro dhe paga mujore e tyre ka qenë rreth 800 euro, të cilën një pjesë e merrnin në dorë dhe pjesën tjetër në bankë. Secili prej punonjësve kishte username dhe vepronin me pseudonime.
Këto call-center-a funksiononin me një nivel të lartë organizimi, ndarje të qartë të detyrave dhe kontroll hierarkik, duke i ngjarë strukturave të bizneseve legjitime. Ky organizim profesional mundësonte mashtrime në shkallë të gjerë, ndërkufitare dhe dyshohet se kanë kryer mashtrim me shuma të mëdha në Vjenë dhe qytete të tjera në Austri nga periudha 15 qershor 2023 deri më 30 korrik 2024.
Operatorët nxisnin qytetarët nga vendet e ndryshme nëpërmjet paraqitjes së rrethanave të rreme, për të besuar se shumat e transferuara do të investoheshin realisht. Sipas prokurorisë nga ky aktivitet i paligjshëm janë përfitiar më shumë se 50 milion euro.
Sipas prokurorisë operatorët përdorin adresa të ndryshme fiktive për të mashtruar shtetasit europiane.
“Skuadra e përbashkët hetimore e krijuar në shtator 2025, midis Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Prokurorisë së Vjenës, arriti të dokumentojë transaksionet e kryera në dëm të shtetasve austriakë të dëmtuar. Nga hetimet rezultoi se subjektet, “IOTA Netëork”, “Victory Communication”, “Espiron Studio”, “Zeta Studio”, “Upstream creative” dhe “Koppa Netëork” janë të lidhur me njëri-tjetrin si nga numri i telefonit i lënë në QKB, adresat e e-mailit dhe adresat e ushtrimit të aktiviteteve dhe në pjesën më të madhe dyshohet se janë fiktive dhe kanë operuar si call-center-a. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto skema mashtruese,”- njofton më tej prokuroria.
Nga operacioni, ku u goditën 3 call center u sekuestruan rreth 892 mijë euro, 443 kompjuterë, 238 telefona celularë, 6 laptopë dhe HDD, DVR./ Zoom.al
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës