Aplikacion
Një tjetër rast i mashtrimit ndërkombëtar përmes skemave të investimeve të rreme është goditur në Tiranë, pas një operacioni të zhvilluar nga strukturat e hetimit ekonomik dhe financiar.
Aksioni policor, i koduar “Fasada”, çoi në zbulimin e një apartamenti të përshtatur si call center në rrugën “Sulejman Delvina”, ku dyshohet se zhvillohej aktivitet mashtrues ndaj shtetasve të huaj. Sipas autoriteteve, përmes telefonatave dhe komunikimeve online, qytetarët bindeshin të investonin në bursa që në fakt nuk ekzistonin.
Gjatë ndërhyrjes në ambient, policia arrestoi në flagrancë dy persona, të identifikuar me inicialet A. R., 44 vjeç dhe L. M., 26 vjeç, të cilët dyshohet se administronin këtë aktivitet. Ndërkohë, 12 persona të tjerë që punonin si operatorë u proceduan penalisht në gjendje të lirë.
Nga verifikimet paraprake rezulton se ambienti ishte marrë me qira dhe përdorej për këtë veprimtari të paligjshme. Dy administratorët dyshohet se organizonin dhe drejtonin gjithë skemën, duke përdorur metoda të strukturuara për të mashtruar qytetarët jashtë vendit.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar një sërë pajisjesh që shërbenin për aktivitetin, përfshirë 19 kompjuterë, 2 telefona celularë dhe një pajisje DVR.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për të zbardhur plotësisht këtë rrjet dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë./ Zoom.al
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës