zoom

Aktualitet

HARTA E HARAMIT, Tirana – qendër globale e mashtrimit me Call Center

HARTA E HARAMIT, Tirana – qendër globale e mashtrimit me Call Center

Tirana është shndërruar në një qendër globale të mashtrimit financiar.

Ajo që nisi si një industri modeste punësimi për të rinjtë që njihnin gjuhë të huaja, është kthyer në një rrjet kriminal që zhvat miliona euro nga qytetarët europianë.

Dy emisione investigative, Le Iene në Itali dhe Piranjat në Shqipëri kanë zbuluar disa qendra, të cilat arrijnë të fitojnë deri në 30 milionë euro në muaj. Një shifër marramendëse kjo që tregon shumë se si është e mundur që një aktivitet i tillë të lulëzojë në mes të Tiranës. Dyshimet janë se gjithçka bëhet me bekimin e pushtetit, njësoj si me kanabisin, si dhe me implikimin e Policisë dhe Prokurorisë.

Krimi në “Bllok” dhe në Kullat Luksoze

Harta e zbuluar nga emisioni “Piranjat”, e ndërtuar pas të dhënave të vëna në nga dispozicion nga persona që kanë punuar më parë në këto qendra, tregon një shtrirje kapilare. Call centerat mashtrues nuk fshihen në periferi, por operojnë në ndërtesat më të shtrenjta të kryeqytetit:
• Kompleksi Delijorgji cilësohet si “foleja” ku vegjetojnë dhjetëra struktura.
• Doën Town One dhe Kulla e Gjelbër janë dy qendra të tjera, ku qiraja kushton mijëra euro, por siguria është e garantuar.
• Zona e ish-Bllokut dhe Rruga e Kavajës, ngjitur me vilat e pushtetarëve dhe zyrat qendrore, ofron një siguri të shtuar.

Implikimi i “Jakave të Bardha” dhe uniformave blu
Sipas të dhënave dhe analizave të bëra më parë nga Zoom.al, korrupsioni ka depërtuar thellë në zinxhirin komandues të policisë. Faktet e dokumentuara nga “Piranjat” konfirmojnë këtë dyshim, si rrjedhja e informacionit apo hezitimi për të vepruar pas denoncimeve.

Sa herë që gazetarët apo partnerët ndërkombëtarë trokasin në dyert e qendrave të call center, ato janë të boshatisura, si në rastin e Kullës së Gjelbër. Dyshimet janë se zyrtarë të policisë apo prokurorisë shesin sekretin hetimor për ryshfete marramendëse.

Në rastin e rrugës së Kavajës, kur policia u thirr, punonjësit ata u larguan me pretekste të shpikura, a thua se kriminelët ishin gazetarët që po denonconin krimin. Kjo heshtje e forcave të rendit përballë krimit flagrant është treguesi më i qartë i implikimit të drejtuesve që kontrollojnë komisariatet.

Lidhja nuk ndalet te policia. Ajo ngjitet deri në organet e akuzës. Siç raportohet, vetëm pak kohë pas arrestimeve të SPAK, Gjykata e Apelit zbuti masat për 5 administratorë, duke i dërguar në “arrest shtëpie”, për të vijuar aktivitetin nga dhoma e ndenjes.

Shumë denoncime që vijnë nga Gjermania apo Italia arkivohen ose zvarriten në prokuroritë e rretheve, duke u dhënë kohë pronarëve të pastrojnë paratë dhe të ndryshojnë emrat e subjekteve.

Vlera e paisjeve të sekuestruara vetëm në një kullë kapte shifrën e 1 milion eurove. Për këta grupe, ky është një shpenzim i vogël. Me fitime që shkojnë në qindra miliona euro në muaj, ata kanë fuqinë të “blejnë” jo vetëm policë, por edhe vendimmarrës të lartë.

Transparency International ka paralajmëruar vazhdimisht se kur krimi ka kaq shumë para, shteti rrezikon të bëhet një shtojcë e tij. Harta e “Piranjave” është një udhërrëfyes i thjeshtë për t’u ndjekur nga njerëzit e ligjit. Sigurisht që ajo tregon vetëm një pjesë të shtrirjes së këtij aktiviteti, brenda Unazës së Tiranës. Jashtë saj, në Kombinat, Kinostudio, te Liqeni Artificial, tek ish -Stacioni i Trenit, ka grupe të tjera të mëdha që po zhvasin miliona euro. /Zoom.al

Postime të lidhura