Aplikacion
Rënia nga pushteti e njerëzve që janë në krye të institucioneve të rëndësishme janë zakonisht të zhurmshme e dramatike. Për to flitet gjerësisht në publik, kryesisht për të kuptuar arsyet e më pas për të analizuar punën apo figurën.
Rrallë herë ka nga ato ikjet të cilat të duken sikur kanë ndodhur kohë më parë e jo ditën që zyrtarizohen. Kjo, sepse të tillë drejtues kanë qëndruar në zyrë çdo ditë me çantë në krah, si të ishin duke pritur nga momenti në moment që t’i përzinin nga aty.
Historia e Ilir Prodës në krye të Policisë së Shtetit i përket kësaj kategorie. Një ngjitje e paimagjinueshme deri ditën kur ndodhi, një drejtim pa gjurmë dhe një largim që të gjithë e dinin se duhet të ndodhte e kur të vinte dita askush nuk do të habitej.
Për ata që edhe mund ta kenë harruar që tani se kush ishte ky personazh, mjafton t’u sjellim në kujtesë se ai ishte drejtori me rezultatet më negative në Policinë e Shtetit, oficeri me uniformë më i akuzuar në historinë e policisë si ushtar i krimit, një lloj “vrasësi me pagesë” i karrierës së oficerëve të ndershëm të uniformave blu, një përndjekës deri në ligësi i çdo punonjësi të suksesshëm, një hakmarrës deri në poshtërsi i çdo polici që mendonte se nuk e donte. Shkurt, një njeri që dëmet që i bëri në 17 muaj policisë do të duhen vite të rikuperohen e që në polici nuk la memorie për t’u kujtuar si drejtues, por si njeri skutash, i nginjur në miliona eurot e call center-ave, mik i Ergys Agasit e Suel Celës.
LEXO EDHE:
Kur u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në tetor 2024, askush nuk priste që ai të luftonte krimin e organizuar apo korrupsionin. Të gjithë e dinin se ai ishte i sponsorizuar nga dyshja Agasi – Çela.
Por të paktën askush nuk priste që ai t’i zinte pritë çdo polici që nuk i pëlqente atij.
Ai nuk u bë kurrë krah i asnjë oficeri apo agjenti policie që u përpoq të bënte detyrën. Në të kundërt degdisi e përjashtoi çdo oficer që goditi grupet kriminale me të cilat ai apo shokët e tij kishin lidhje.
Zoom.al ka publikuar vazhdimisht materiale që ngrinin pikëpyetje serioze mbi integritetin dhe performancën e tij profesionale apo për lidhjet e tij të dyshimta dhe emërimet problematike në çdo drejtori, në qendër e nëpër qarqe.
1 marsi 2026 e çliroi policinë nga sëmundja e kriminalizimit që ai i futi ashtu si një i infektuar nga lebroza ia injekton atë ditë për ditë një qyteti të tërë.
U shkarkua me përbuzje, me një motivacion qesharak “se nuk ruajti dot ish -Bllokun nga protestat”. Procedura formale u përmbyll me shpejtësi, pa kaluar 24 orë nga shkarkimi, një provë e fortë se me të as nuk duan të kenë të bëjnë asnjë sekondë më shumë.
Gara për pasuesin u hap menjëherë. Dhe siç mëson Zoom.al, drejtuesi i ri i projektuar do të ketë detyrë parësore të çrrënjosë nga strukturat e policisë të gjithë njerëzit e tij, me të cilët bëri lëmsh policinë e shtetit, toleroi e ndihmoi krimin, rëndoi biznesin dhe harroi qytetarin.
Në politikë e administratë, mënyra si largohesh shpesh flet më shumë se çdo koment tjetër. Përzënia e Ilir Prodës na flet sot mbi portretin e vërtetë të një njeriu të papërmbushur, që infektoi me zbrazëtinë e tij edhe organizatën e policisë. /Zoom.al
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës