Aplikacion
Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur aplikimet për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pas largimit nga detyra të Ilir Prodës, i cili u shkarkua nga ditën e shtunë pas 17 muajsh në krye të Policisë.
Sipas njoftimit zyrtar, aplikanti duhet të mbajë një nga gradat e rolit të mesëm drejtues, të ketë shtetësi shqiptare, të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë për vepra penale, të mos ketë marrë masa të rënda disiplinore gjatë 5 viteve të fundit, të jetë në kushte të përshtatshme shëndetësore dhe të mos jetë në konflikt interesi.
Kandidatët duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim drejtuar Ministrit të Brendshëm, të shoqëruar me jetëshkrim të përditësuar, platformë personale deri në 20 faqe me objektivat që synojnë të ndjekin, vetëdeklarim sipas ligjit të dekriminalizimit, dëshmi penaliteti të lëshuar jo më herët se 3 muaj, dokumentacion që provon përvojën profesionale, vlerësime etike e profesionale, rezultate studimore dhe trajnime të certifikuara, si dhe dokumente të tjera përfshirë vërtetim besueshmërie dhe dokument shëndetësor.
Brenda 7 ditëve nga shpallja e thirrjes duhet të dorëzohet dokumentacioni i plotë, ndërsa pas këtij afati Ministria publikon emrat e kandidatëve; më tej, brenda 10 ditëve pune, Komisioni i Posaçëm kryen verifikimin paraprak të kushteve ligjore, përjashton ata që nuk i plotësojnë dhe organizon seanca dëgjimore me kandidatët e kualifikuar, përpara se t’i paraqesë Ministrit renditjen përfundimtare me vlerësimet .
Shprehja e interesit dhe dokumentet duhet të dorëzohen në adresën postare ose elektronike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa afati i fundit për aplikim është 11 mars 2026.
Thirrja e plotë:
Në mbështetje të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe Udhëzimit të Ministrit të Brendshëm nr. 160, datë 2.9.2024 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përzgjedhjen e kandidatit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, Ministria e Punëve të Brendshme shpall thirrjen për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
APLIKANTI DUHET TË PLOTËSOJË KËTO KRITERE
Kritere të përgjithshme:
a) mban njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues;
b) të ketë shtetësi shqiptare;
c) të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë;
ç) të mos ketë marrë masat disiplinore të përcaktuara në shkronjat “c”, “ç” dhe “d” të pikës 1 të nenit 123 të ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, brenda 5 viteve të fundit (ulje e përkohshme e pagës deri në 40 % për një periudhë jo më të gjatë se 1 vit; shtyrje e afatit të gradimit deri në 5 vjet; ulje me një gradë për një periudhë deri në 5 vjet);
d) të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse.
dh) të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.
DOKUMENTACIONI, MËNYRA, AFATI I DORËZIMIT DHE VLERËSIMI
Kërkesë me shkrim e aplikantit, drejtuar Ministrit të Punëve të Brendshme, për të shprehur interesin për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Kërkesa me shkrim shoqërohet nga dokumentet e mëposhtme:
a) jetëshkrim i përditësuar;
b) platformë personale e qëllimeve dhe objektivave që kandidati propozon të ndjekë. Ky dokument duhet të jetë punë origjinale e kandidatit dhe nuk duhet të kalojë 20 faqe, në llojin e shkrimit Times New Roman, madhësia 12, me një njësi hapësirë mes rreshtave;
c) vetëdeklarim sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave të zgjedhur, emëruar ose që marrin funksione publike”;
ç) dëshmi të gjendjes gjyqësore lëshuar nga organi kompetent shtetëror, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;
d) vërtetimin/dokumentacionin e përshtatshëm që provon përvojën e punës së kandidatit për pozicionin për të cilin konkurron;
dh) rezultatet e vlerësimit profesional dhe etik të kandidatëve në punët që kanë bërë në të shkuarën, nëse ka, apo rezultatet e arritura gjatë përvojave të tyre të punës, që lidhen me ushtrimin e funksioneve në fushën e rendit dhe sigurisë;
e) rezultatet e arritura gjatë studimeve të larta dhe në trajnime dhe kurse të certifikuara, brenda dhe jashtë vendit;
ë) rezultatet e arritura gjatë studimeve pasuniversitare në fushën e rendit ose sigurisë;
f) kopje të noterizuara të dëshmive të gjuhëve të huaja, nëse ka;
g) kopje të noterizuara të gradës shkencore ose titujve akademikë, nëse ka;
gj) kopje të vërtetimit të besueshmërisë, të marrë nga komisariati përkatës, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;
h) dokumentin shëndetësor që dëshmon aftësinë për punë, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;
i) vetëdeklarim, që kandidati nuk është në konflikt interesi në ushtrimin e detyrës;
j) vetëdeklarim, që kandidati nuk është larguar nga puna më parë për shkaqe disiplinor dhe që nuk ka masë disiplinore në fuqi në momentin e kandidimit.
VLERËSIMI
Kandidatët, brenda 7 ditëve nga shpallja e thirrjes për aplikim, duhet të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të përcaktuar në Udhëzimin nr. 160, datë 2.9.2024 (shkarko Udhëzimin)
Pas përfundimit të afatit 7-ditor për paraqitjen e shprehjes së interesit, Ministria e Punëve të Brendshme publikon në faqen zyrtare emrat e kandidatëve.
Brenda 10 ditëve pune nga përfundimi i afatit të dorëzimit të shprehjeve të interesit, Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore. Në përfundim të vlerësimit paraprak, Komisioni harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore dhe të kandidatëve që nuk i plotësojnë këto kushte, bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kandidati dhe dokumentacionin shtesë të mbledhur nga Komisioni. Komisioni merr vendim për përjashtimin e kandidatëve që nuk plotësojnë kushtet ligjore dhe i njofton me shkrim kandidatët e përjashtuar, në mënyrë të arsyetuar për shkaqet e përjashtimit.
Komisioni organizon seancë dëgjimore me kandidatët dhe i njofton ata të paktën 3 ditë para seancës dëgjimore. Anëtarët e Komisionit vlerësojnë të gjithë informacionin e vënë në dispozicion prej kandidatëve, dokumentacionin e mbledhur dhe informacionin e marrë gjatë seancës dëgjimore dhe i dorëzojnë Ministrit renditjen e kandidatëve, së bashku me vlerësimet me shkrim.
Shprehja e interesit dhe të gjitha dokumentet e kërkuara duhet të dorëzohen në adresën postare, ose në adresën elektronike.
Adresa postare: Ministria e Punëve të Brendshme, Bulevardi Dëshmorët e Kombit Nd. 1, Tiranë 1001 Tiranë, Shqipëri
Adresa elektronike:[email protected]
Afati i dorëzimit të aplikimit: Deri në 11 mars 2026.
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës