zoom

Aktualitet

Prapaskenat e shkarkimit të Ilir Prodës, Klodiana Lala: Ka pasur debat me tone të forta me Kryeministrin

Prapaskenat e shkarkimit të Ilir Prodës,  Klodiana Lala: Ka pasur debat me tone të forta me Kryeministrin

Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar se shkarkimi i ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, erdhi pas një debati me tone të forta me kryeministrin Edi Rama, ndërsa vendimi për largimin e tij ishte marrë që përpara protestës së opozitës të 28 shkurtit.

E ftuar në emisionin “Opinion” më 4 mars, Lala tha se Proda ka qenë për herë të fundit në zyrën e tij mbrëmjen e 1 marsit.

“Ka pasur një debat me tone të forta me kryeministrin, është komanduar menjëherë Bizhga”, tha Lala.

Duke folur për protestën e opozitës, gazetarja u shpreh se trajektorja e saj ishte e paparashikueshme për policinë.

“PD-ja nuk dha detaje për mënyrën si do të lëvizte. Gjatë gjithë kohës hidheshin molotovë nëpër kosha plehrash. Në momentin kur gazetarët dhe protestuesit kanë qenë te ura e Drejtorisë, ka filluar të raportohet se mund të kishte një ndalesë te ish-vila e diktatorit. E kemi mësuar diku te 7-8 minuta para.”

Sipas Lalës, aludimet për motivacionin e largimit të Prodës lidhen edhe me zhvillime të tjera që kanë ndodhur më herët.

“Furtuna” mbi emrin e Prodës, sipas saj, nisi që në momentin kur u diskutua për një grup të strukturuar kriminal brenda Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Gazetarja shtoi se biznesmeni Ergys Agasi, i shpallur aktualisht në kërkim, ka qenë ndërmjetës mes kryeministrit dhe Prodës.

“Iu dha grada të pamerituara të gjithë rrethit të tij shoqëror, disa prej të cilëve u janë sekuestruar celularët. Së dyti, ka pasur lidhje okulte. Pas shpalljes në kërkim të Agasit, drejtorë të policisë i kanë prezantuar platformën Ylli Carës, ish-ortak i Prodës, biznesmen. Një personazh që është jo vetëm lidhje e ngushtë për Prodën, por ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë për caktimin e emrave. Drejtori është ndikuar nga ai”, deklaroi Lala për Prodën.

Më tej, ajo theksoi se ekziston edhe një hetim penal pa emër të regjistruar, i ndarë nga dosja e AKSHI-t, për implikim të mundshëm të zyrtarëve policorë në rrëmbimin e Daniel Shima.

Sipas Lalës, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka sekuestruar celularin Prodës që në kohën kur ai drejtonte Policinë e Elbasanit.

“Në vitin 2024, në atë kohë u godit një prej organizatave më të rrezikshme kriminale, të drejtuar nga vëllezërit Çopja. Në atë kohë, pati dyshime të forta se ky operacion mund të ishte dekonspiruar. Ky lajm nuk u mësua në momentin e sekuestrimit, por kur Proda garoi për kreun e Policisë së Shtetit. Celulari i tij është këqyrur, ka një hetim të çelur, nuk ka ende një rezultat deri tani. Në atë kohë, drejtor ka qenë Rrumbullaku, që një ditë papritmas u largua”, shpjegoi gazetarja./ Zoom.al

Postime të lidhura