zoom

Lajme

Policia e Ilir Prodës e “fortë” me Adriatik Lapajn, e butë me bandat dhe Ergys Agasin

Policia e Ilir Prodës e “fortë” me Adriatik Lapajn, e butë me bandat dhe Ergys Agasin

Adriatik Lapaj, kryetari i lëvizjes Shqipëria Bëhet, i cili po proteston për më shumë se dy javë përpara kryeministrisë, ka akuzuar policinë e Ilir Prodës për represion të vazhdueshëm politik.  

 “Policia ka marrë peng foninë e protestës” dhe se sillet “si organizatë bandite”, shkruajti Lapaj pak ditë më parë në një postim në rrjetet sociale. 

Ai ka publikuar edhe një shkresë zyrtare të Policisë së Tiranës për lejimin e protestës, e kufizuar në kohë nga ora 12:00 deri në 15:00, me referencë të drejtpërdrejtë te Ligji për Tubimet dhe argumente standarde si siguria publike, funksionimi i institucioneve dhe trafiku.

Megjithatë, sipas tij, policia po përpiqet në çdo formë ta pengojë protestën kundër korrupsionit qeveritar. 

Mesa duket, policia e Ilir Prodës ka vendosur të bëjë “të fortin” me një aktivist paqësor si Lapaj, në një kohë kur po dështon të kapë kriminelët më të kërkuar, si anëtarët e bandave më të rrezikshme në Durres dhe Elbasan, apo “koordinatorin e krimit”, Ergys Agasin dhe bashkëpunëtorin e tij, Ermal Beqirin. 

Ndërsa Lapajt i sekuestrohet edhe një megafon që shërben për të shpërndarë me fuqishëm një zë kundër korrupsionit, bandave të krimit të organizuar që kanë zaptuar qytete dhe institucione, si rasti i AKSHI, u lejohet ta ushtrojnë qetësisht aktivitetin e tyre. 

Me sjelljen e saj policia e drejtuar nga Ilir proda, ka krijuar perceptimin se ajo e demonstron forcën  mbi qytetarët e pambrojtur që protestojnë, por jo mbi krimin e organizuar që sfidon realisht rendin dhe ligjin dhe po kontrollon shtetin. 

Në një vend ku bandat veprojnë lirshëm, komandojnë pushtetin e ku paratë e taksave vidhen me thasë nga Agasi me shokë, policia gjen kohën të merret me megafonin e Lapajt. Si duket, e vërteta që vjen edhe nga një zë i vetëm, i dhemb shumë si policisë së Prodës, ashtu edhe pushtetit. /Zoom.al

Postime të lidhura