zoom

Aktualitet

Dosja “AKSHI” trondit edhe Policinë e Shtetit/ Klodiana Lala zbulon lëvizjet e Ilir Prodës për të shpëtuar kupolën

Dosja “AKSHI” trondit edhe Policinë e Shtetit/ Klodiana Lala zbulon lëvizjet e Ilir Prodës për të shpëtuar kupolën

Gazetarja Klodiana Lala ka hedhur akuza të forta ndaj drejtimit të Policisë së Shtetit, duke deklaruar se lëvizjet e fundit në strukturat drejtuese janë veprime të nxituara dhe të dëshpëruara nga ana e drejtorit të përgjithshëm, Ilir Proda, në një moment kur SPAK ka nisur hetime serioze ndaj kupolës së policisë.

Gjatë emisionit “Studio 24”, Lala u shpreh se hetimet e Prokurorisë së Posaçme lidhen me dosjen e AKSHI-t, ku nga këqyrja e celularëve dhe analiza e të dhënave të sekuestruara, kanë dalë indicie të forta se drejtues të lartë të Policisë së Shtetit janë të kapur politikisht dhe të diktuar nga krimi i organizuar.

“Kupola e Policisë së Shtetit sot nuk funksionon si institucion ligjzbatues, por si një bandë kriminale dhe gjobvënëse. Ajo diktohet nga krimi dhe vepron në nxitim e sipër, sepse e di që po hetohet”, deklaroi Lala.

Sipas saj, shkarkimet dhe emërimet e fundit nuk kanë asnjë ndikim real në përmirësimin e imazhit apo funksionimit të policisë, por janë thjesht tentativa për të mbuluar situatën dhe për të shpëtuar individë të caktuar nga përgjegjësia penale.

“Lëvizjet në polici janë lëvizje të dëshpëruara të Prodës, në grahmat e fundit. Asnjë shkarkim apo emërim nuk ia kthen fytyrën Policisë së Shtetit. Problemi është shumë më i thellë dhe lidhet me kupolën”, theksoi ajo.

Gazetarja shtoi se Policia e Shtetit është çuar në një pikë kritike, ku brenda saj operojnë banda kriminale dhe struktura gjobvënëse, që shfrytëzojnë uniformën për interesa personale dhe kriminale.

“Nëse SPAK do t’i shkojë deri në fund dosjes së AKSHI-t, do të habitemi të gjithë. Deri tani është folur vetëm për segmente, por realiteti është se sot vetë kupola e Policisë së Shtetit vepron si një bandë kriminale”, u shpreh Lala.

Postime të lidhura