Aplikacion
Telefoni i Ilir Prodës është sekuestruar për herë të tretë. Jo rastësisht. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dyshohet për lidhje me banda dhe veprime kriminale.
Prandaj i merret telefoni. Përsëri.
Këtë herë, sekuestrimi lidhet me hetimet për pengmarrjen e biznesmenit Gerdond Meçe dhe për rrëmbimin e ish-nëndrejtorit të AKSHI, Daniel Shima. Ngjarje të rënda që dyshohet se janë realizuar nga punonjës e zyrtarë policie, që mund të ndodhin vetëm në shtete tipike mafioze.
“I kanë çuar në Elbasan, te tregu i Suel Çelës”, – thotë Sali Berisha. Ilir Proda nuk reagon. Sikur nuk përfaqëson policinë dhe shtetin, por Suelin.
Por Rama nuk e shkarkon. Ministrja e Brendshme ka humbur këto ditë.
Nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erjon Ismaili është pezulluar nga detyra. Dyshohet i përfshirë në aferën e call center-ave. Një lidhje e Ergys Agasit. Të shqetësuar janë vetëm mashtruesit e call centerave dhe ata që e kanë emëruar. Te qytetarët aksionet e SPAK po ngjallin shpresë, por ata s’i pyet askush. Si për ta faktuar këtë Proda nuk e shkarkon.
Ergys Agasi është në arrati. Arben Ahmetaj, edhe aj në arrati, thotë se ai është koordinator mes Edi Ramës dhe bandave kriminale. “Konsumon verë 33 mijë euro shishja me Ramën në kryeministri” -thotë Ahmetaj. Por Ramës aq i bën. Agasi, pavarësisht lumit të akuzave, s’ka bërë asgjë publike për t’u distancuar prej tyre. Me arratinë, thuajse i pranoi të gjitha.
SPAK ka kërkuar arrestimin e Belinda Ballukut. Kryeministri e mban ende në detyrë. Drejtori i KESH-it është në arrest shtëpie. Balluku e mban në detyrë. Edhe drejtori i ARRSH-së është në arrest shtëpie. Edhe ai është në detyrë.
Drejtorja e AKSHI është në arrest shtëpie, bashkë me zëvendësen e saj. Rama i mban në detyrë.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës, është në burg. I vetmi që Rama donte ta hiqte nga detyra.
Lista sa vjen e rritet. Shteti sa vjen e kuptohet që është në duart e një bande që e ka pushtuar dhe po e rrjep.
Ka të dhëna se SPAK po përgatit prangat për një zyrtar të lartë. “Nga paradhoma e Kryeministrit” -thonë disa burime. Dyshohet se është larguar jashtë vendit.
Ky është një sistem i ngritur në 12 vjet, kur policia dyshohet për pengmarrje, ku ministrat mbrohen politikisht, ku drejtorët nuk shkarkohen edhe pse vjedhin.
Nuk kemi më shtet që lufton bandat. Kemi banda brenda shtetit, që kanë marrë peng shtetin dhe luftojnë qytetarët. /Zoom.al
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës