zoom

Aktualitet

“Narkokomisari Ilir Proda të shkarkohet”, Blushi: Vegël e bandave, ka emëruar në polici ushtarë të krimit, dekonspiron aksionet policore

“Narkokomisari Ilir Proda të shkarkohet”, Blushi: Vegël e bandave, ka emëruar në polici ushtarë të krimit, dekonspiron aksionet policore

Partia e Lirisë ka lëshuar sot akuza të forta ndaj Drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, të cilin Tedi Blushi e cilëson si “narkokomisari” dhe “vegël të krimit të organizuar”, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të tij.

Në një deklaratë publike, Blushi shprehet se pretendimi i Prodës në Komisionin Parlamentar të Punëve të Brendshme, sikur rrëmbimi i Ilir Metës nga efektivë të maskuar dhe të armatosur në tetor të vitit të kaluar “nuk ishte veprim arbitrar”, është konfirmim i qartë se Proda po vepron si “kryebandit” në krye të Policisë së Shtetit.

Sipas Blushit, ai ishte një “rrëmbim mafioz, jo arrestim”.

Blushi kujtoi se Meta u rrëmbye “nga banditë të maskuar, të armatosur rëndë dhe pa identifikim”, një akt që sipas tij u dënua nga opinioni publik dhe partnerë ndërkombëtarë.

Ai akuzon se Proda ka mashtruar publikisht para Kuvendit duke thënë se Meta “ka bërë rezistencë gjatë arrestimit”, çka sipas tij përbën vepër penale. Blushi kujtoi se Partia e Lirisë ka depozituar kallëzim penal për këtë çështje në dhjetor, por Proda, sipas tij, “u amnistua nga SPAK”.

Sipas Partisë së Lirisë, Avokati i Popullit ka konstatuar disa shkelje të rënda ligjore në operacionin ndaj Metës, ku u përdorën forca speciale me maska, persona të armatosur dhe pa identifikim, mungesë e çdo dokumentacioni procedural dhe zhdukje e provave institucionale.

Blushi theksoi se këto përbëjnë “dhunim flagrant të të drejtave të njeriut” dhe “atentat politik ndaj demokracisë”, duke akuzuar drejtuesin e policisë se po zbaton urdhra politikë kundër opozitës.

Deklarata përmend edhe ngjarjet e fundit kriminale, mes tyre atentatin në aeroportin “Nënë Tereza”, duke i atribuar përgjegjësi direkte Ilir Prodës.

“Vegël e verbër e politikës dhe krimit të organizuar… përgjegjës për situatën dramatike të sigurisë në vend” – deklaroi Blushi.

Ai e akuzon gjithashtu Ilir Prodën se ka emëruar në polici “ushtarë të krimit” dhe ka krijuar imunitet për bandat, duke përmendur “251 drejtues dhe anëtarë bandash të pashqetësuar nga policia”.

Partia e Lirisë kërkon shkarkimin e menjëhershëm të Ilir Prodës, ndërhyrjen e organeve të drejtësisë që “t’i thërrasin mendjes dhe të mos e amnistojnë” dhe ndëshkimin penal për veprimet e pretenduara në operacionin kundër Metës.

“Ky akt i paligjshëm nuk do të relativizohet kurrë, dhe Proda do të mbajë përgjegjësi penale”, përfundoi Blushi. /Zoom.al

Postime të lidhura