Aplikacion
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka shkarkuar nga detyra Drejtorin e Policisë së Korçës, Erion Ahmetin, si dhe ka pezulluar zv.Drejtorin për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, Hajri Kushen, pas ngjarjes së ndodhur ditët e fundit në Bilisht, ku një 32-vjeçar u mor peng.
Në njoftim theksohet se pas një analize të kryer në lidhje me veprimet dhe menaxhimin e situatës, rezultoi se zinxhiri drejtues i DVP Korçë nuk ka përmbushur detyrimet ligjore dhe nuk ka menaxhuar siç duhet situatën, duke sjellë pasoja në imazhin e Policisë në komunitet.
Sipas mediave, drejtori tashmë i shkarkuar Erion Ahmeti nuk ofroi ndihmë për rastin e pengmarrjes për arsye të panjohura, duke vënë në vështirësi punonjësit dhe drejtuesit e komisariatit të Devollit.
Rezistenca e Ahmetit bëri që stafi të kërkonte ndihmë drejtpërdrejt në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, duke marrë parasysh se një nga të dyshuarit për pengmarrje është vëllai i deputetit Bledion Nallbati, i njohur për influencën e tij në zonën e Devollit.
Ngjarja ka ndodhur më 27 tetor, kur Policia e Devollit arrestoi Alti Nallbatin, 42 vjeç, i njohur me nofkën “Duçja”, vëllai i deputetit Bledion Nallbati, Trajan Çelikun, 38 vjeç, dhe Marsel Bucin, 37 vjeç. Të tre akuzohen për “Heqje të paligjshme të lirisë” dhe “Kanosje”, ndërsa Marsel Buci edhe për “Plagosje të lehtë me dashje”.
Sipas hetimeve, të arrestuarit dyshohet se morën me forcë nga banesa Ilir Topçiun, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dhe e çuan në një ambient privat, ku e mbajtën për disa orë, duke ushtruar dhunë dhe kërcënuar jetën e tij. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme. Zoom.al/