Aplikacion
Pas disa muajsh tensione, zhvendosjesh të vazhdueshme dhe presionesh të brendshme, ish-shefi i Komisariatit nr. 2 në Tiranë, Ritvan Pali, është larguar përfundimisht nga Policia e Shtetit.
Burime nga brenda strukturës konfirmojnë se vendimi i tij ka ardhur pas një periudhe të gjatë përplasjesh të heshtura me eprorët, që nisën menjëherë pas arrestimit të Altin Morinës, ish-efektiv i forcave RENEA, i kërkuar nga SPAK për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Arrestimi i Morinës u zhvillua disa muaj më parë nën drejtimin e Palit. Por, pas prangave të ish-specialit të RENEA-s, në prapaskenë nisi një stuhi institucionale.
Morina ishte përfolur në media për lidhje të ngushta me figura brenda Policisë së Shtetit, përfshirë drejtorin Ilir Proda.
Pas arrestimit të Morinës, Proda reagoi menjëherë me masa drastike, duke shkarkuar shefin e komisariatit, shefin e sektorit të krimeve dhe disa efektivë të tjerë që morën pjesë në aksion.
Ritvan Pali u shënjestrua në mënyrë të heshtur. Fillimisht u transferua disa herë brenda pak muajsh, iu ul grada, dhe në fund u dërgua në Komisariatin e Leskovikut, një pozicion periferik, i konsideruar nga shumë si formë ndëshkimi.
Pas situatës ai vendosi të largohet nga uniforma blu.
Largimi i Palit, më shumë sesa një dorëheqje individuale, është pasqyra e një institucioni në krizë që shtyn drejtuesit drejt largimit kur hetimet kanë prekur persona të lidhur me struktura drejtuese apo me botën e krimit të organizuar./ Zoom.al