Aplikacion
Ish-shefi i Komisariatit nr. 2 në Tiranë, Ritvan Pali, ka fituar gjyqin në Gjykatën Administrative ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, duke rrëzuar vendimin për uljen e tij në gradë.
Masat disiplinore ndaj Palit u morën pas arrestimit të Altin Morina, ish-efektiv i RENEA-s, i shpallur në kërkim nga SPAK për dyshime mbi lidhje me grupe kriminale.
Pas këtij arrestimi, ndaj Palit nisi një seri ndëshkimesh administrative nga drejtuesit e Policisë së Shtetit, që filluan me uljen në gradë dhe vijuan me transferime në detyra më të ulëta në rrethe.
Sipas Drejtorisë së Standardeve Profesionale, arsyeja zyrtare e uljes në gradë për një periudhë njëvjeçare ishte se Pali nuk kishte veshur uniformën policore më 11 maj, ditën e zgjedhjeve parlamentare. Atë ditë u shënua edhe një incident politik, ku Belind Këlliçi deklaroi se kishte zbuluar një zyrë të fshehtë patronazhimi të kandidatit socialist Erion Braçe.
Në procesin gjyqësor, Ritvan Pali provoi se kishte vepruar në përputhje me ligjin dhe se gjatë incidentit kishte qenë i pajisur me dokument identifikimi zyrtar, edhe pse jo me uniformë. Gjykata Administrative vlerësoi se vendimi disiplinor ishte i pabazuar dhe e shfuqizoi atë, duke i dhënë të drejtë ish-shefit të komisariatit.
Arrestimi i Morinës u zhvillua disa muaj më parë nën drejtimin e Palit. Por, pas prangave të ish-specialit të RENEA-s, në prapaskenë nisi një stuhi institucionale.
Morina ishte përfolur në media për lidhje të ngushta me figura brenda Policisë së Shtetit, përfshirë drejtorin Ilir Proda.
Pas arrestimit të Morinës, Proda reagoi menjëherë me masa drastike, duke shkarkuar shefin e komisariatit, shefin e sektorit të krimeve dhe disa efektivë të tjerë që morën pjesë në aksion.
Ritvan Pali u shënjestrua në mënyrë të heshtur. Fillimisht u transferua disa herë brenda pak muajsh, iu ul grada, dhe në fund u dërgua në Komisariatin e Leskovikut, një pozicion periferik, i konsideruar nga shumë si formë ndëshkimi.
Pas situatës ai vendosi të largohet nga uniforma blu./ Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari