Aplikacion
Efektivë të policisë, të rendit, Shqiponja, FNSH apo RENEA po rekrutohen nga grupe kriminale si “të punësuar”, informatorë e bashkëpunëtorë, e po ashtu edhe nga biznesmenë me probleme me persona të tretë apo me ligjin.
Rasti i Muçi Sheqerit, oficerit të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore ishte në makinën e Gilmando Danit në atentatin e djeshëm, nuk është i izoluar. Ervis Martinaj po ashtu kishte një polic të punësuar si shofer. Jeton Lami ishte efektiv në Njësinë Operacionale, në skuadrën FAST, të Policisë. Ai e shoqëronte Martinajn në vende të ndryshme ndërkohë që ai ishte në kërkim, sikundër u provua që ishte i njëjti që e kishtë lënë në Durrës pak ditë pëpara se të zhdukej.
Detyrën e shoferit, sipas hetimeve të deritanishme, ka pasur si parësore edhe Muçi Sheqeri (Shaljani) për një prej anëtarëve më të rrezikshëm të bandës së Emiljano Shullazit. Ai merrej me lëvizjet e Gilmando Danit, një person me precedentë të rrezikshëm kriminalë, krahu i djathtë i Shullazit, i dënuar me 12 vjet burg, një dënim që e kishte kryer në tetor të vitit 2024.

LEXO EDHE: Shoferi i plagosur i Gilmando Danit, kushëri i kreut te IKMT në Tiranë, Rigers Sheqeri
Ardit Hasanbegaj, oficer në strukturat e hetimit dhe rendit publik në Shkodër u zbulua nga SKY ECC se ishte pjesë e bandës së Bajrajve dhe Pëllumb Gjokës. Ai u akuzua nga SPAK për ”sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të shtetasve Dorian Duli dhe Ibrahim Lici.
Oltion Bistri, ish -shef i Operacionales, ish -drejtor i Policisë në Durrës e Lezhë, u arrestua si pjesë e të njëjtës bandë.
Henrigert Mitri, ish -drejtor i Policisë së Lezhës ishte rekrutuar nga një grup kriminal i kultivimit dhe trafikimit të kanabisit dhe në aktivitetin e lojërave të fatit. Aktiviteti i tij u zbulua nga bisedat në SKY ECC.
Dritan Metaj u arrestua nga SPAK si pjesë e grupit të Gëzim Çelës, një prej grupeve më të mëdha të trafikut të drogës në vend.
Arlind Ismailukaj, efektiv policie, u arrestua në të njëjtin operacion të koduar me erin “Flakë në det”.




SPAK dhe strukturat e tjera hetimore besojnë se efektivë të tjerë bashkëpunojnë me grupe kriminale duke u ofruar informacione. Një burim i besueshëm i tha Zoom.al se të paktën një shef komisariati në Tiranë është nën lupën e strukturave të hetimit për shkak të dyshimeve për bashkëpunim me një prej grupeve më të rrezikshme kriminale në vend.
Këtu raste tregojnë se se si organizatat kriminale kanë rekrutuar ose bashkëpunojnë me punonjës të policisë për interesa kriminale, që nga mbrojtja fizike, shmangia e kontrolleve policore deri tek sigurimi i informacioneve konfidencialë për vetë anëtarët e grupeve kriminale apo për grupet rivale.
Pse krimi kërkon policët
Nëpërmjet rekrutimit të efektivëve të policisë, grupet krimiale arrijnë të kenë akses në informacion. Punonjësit e policisë kanë njohuri të detajuara për operacionet në terren, lëvizjet e patrullave, hetimet në zhvillim dhe rrjetet e survejimit. Një informacion i tillë mund të jetë jetik për një grup kriminal që kërkon të shmangë goditjet apo arrestimet nga paralajmërimet që jepen në kohën e duhur.
Nga ana tjetër, efektivët e policisë janë të armatosur dhe gëzojnë një lloj imuniteti nga veprimet e kolegëve të tyre në detyrë. Një polic që shoqëron kriminelë si shofer është një garanci se mjeti i tyre nuk do të ndalohet ose nuk do të kontrollohet. Në postblloqe, mjafton një “badge” apo një “jemi kolegë”, për të kaluar pa kontroll.
Cili postobllok do ta ndalonte makinën e Gilmando Danit nëse Muçi Sheqeri do të tregonte kartën e AMP-së, kësaj strukture që ka nën kontroll vetë policët? Po makinën e Ervis Martinajt, cili polic postoblloku do ta ndalonte kur Jeton Lami të tregonte se punonte në “Operacionale”?
Po kështu, bandat kriminale i rekrutojnë policët edhe për faktin se ata mbajnë armë me leje dhe ndihen më të sigurt në cdo rast.
Ky fenomen e ka kriminalizuar policinë deri në palcë, veçanërisht kohët e fundit. Opozita akuzoi pak ditë më parë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, se ka vënë në dispozicion makina të policisë për të shoqëuar nga Elbasani në Tiranë, të shumëkërkuarin Suel Çela, për një vizitë tek dentisti. Proda në vend që t’i hidhte akuzat poshtë me forcë, nuk i ka mohuar ato dhe nuk ka bërë asnjë reagim.
Përmes policëve të rekrutuar, bandat blejnë siguri dhe kontroll mbi territorin. Siç kanë hetimet e SPAK bazuar në përgjimet e SKY ECC, policët e përfshirë në rrjete kriminale janë përdorur edhe për spiunazh të brendshëm, ndjekje të rivalëve, manipulim dosjesh, apo zhdukje të provave.
Së fundi, janë biznesmenë të shumtë, me të shkuar problematike apo me konflikte të tanishme, që po punësojnë efektivë të policisë. Nuk i përdorin për aktivitete kriminale dhe e konsiderojnë si punësim të zakonshëm, por e bëjnë këtë vetëm e vetëm për të pasur më shumë siguri personale. Kjo, sigurisht që është e jashtligjshme, por AMP që duhet të kontrollojë aktivitetin e policëve, rezulton se ka edhe brenda gjirit të saj element kriminalë.
Këto fakte e çojnë situatën përtej kufijve të krimit të zakonshëm dhe tregojnë se krimi i organizuar është fuqizuar aq shumë, saqë ka nën kontroll edhe strukturën e policisë. Ministria e Brendshme apo Policia e Shtetit mund të mburren me statistika, por shqiptarët e shohin përditë realitetin. /Zoom.al