Aplikacion
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka reaguar zyrtarisht pas atentatit të ndodhur mesditën e së martës në afërsi të aeroportit të Rinasit, ku u vra Gilmando Dani, i njohur si mik dhe bashkëpunëtor i afërt i Emiljano Shullazit, ndërsa mbeti i plagosur rëndë 40-vjeçari Muçi Shaljani, alias “Sheqeri”, efektiv i AMP-së.
Në reagimin e saj, Agjencia thekson se ka nisur një verifikim të brendshëm të procedurave të ndjekura për rekrutimin dhe angazhimin e punonjësit të përfshirë.
“Nisur nga interesi i medias dhe ndjeshmëria e ngjarjes të ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimin pranë aeroportit ‘Nënë Tereza’, ku rezulton i përfshirë edhe punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, M.Sh., i cili ka mbetur i plagosur dhe po merr ndihmën mjekësore, AMP ka nisur menjëherë verifikimin e brendshëm të procedurave administrative të ndjekura, si edhe praktikën e plotë me agjencitë përkatëse dhe Policinë e Shtetit, në lidhje me procedurën e rekrutimit të tij, prej shtatorit 2025,” – thuhet në njoftimin zyrtar.
Po ashtu, Drejtori i Përgjithshëm i AMP-së, Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të Agjencisë deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
“Në komunikimet në vijim do të bëhen me dije rezultatet e këtyre veprimeve,” – përfundon reagimi.
Ndërkohë, hetimet për atentatin vijojnë, ndërsa Muçi Shaljani ndodhet në gjendje kritike në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve./Zoom.al