Aplikacion
Detaje të reja janë zbuluar nga atentati mafioz që tronditi sot zonën pranë aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, 47 vjeç, dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani, 40 vjeç, agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Sipas burimeve hetimore, ata po udhëtonin me një “Benz” të bardhë, me targa AB 099 UO, të cilin e kishin lënë në parkimin e aeroportit gjatë udhëtimit. Sapo u larguan nga Rinasi, ranë në pritë nga autorët që ndodheshin në një “Toyota” me targa greke.
Të dy mjetet lëvizën paralelisht për disa metra, ndërsa nga “Toyota” u qëllua me breshëri automatiku drejt “Benz-it”, kryesisht nga ana e pasagjerit, ku ndodhej Dani. Sipas dëshmive paraprake, pasi automjeti u qëllua me dhjetëra plumba, një nga atentatorët zbriti nga makina, me kapele dhe maskë, iu afrua “Benz-it” dhe qëlloi disa herë nga afër me pistoletë, duke e lënë Danin të vdekur në vend.
Autorët më pas u larguan me shpejtësi drejt Fushë-Krujës, ku u gjet një makinë e djegur “Toyota” në fshatin Halil. Brenda saj, policia gjeti katër armë zjarri kallashnikov, që dyshohet se janë përdorur në atentat.
Sipas hetimeve paraprake, në ngjarje dyshohet të kenë marrë pjesë katër persona – dy atentatorë, një shofer dhe një bashkëpunëtor tjetër që i priste pas djegies së mjetit të krimit./ Zoom.al