Aplikacion
40 -vjeçari Muçi Shaljani (Sheqeri), që mbeti i plagosur në atentatin ndaj Gilmando Danit, në rrethrrotullimin e aeroporti të Rinasit, është zyrtar i shtetit.
Ai është punonjës i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, strukturës që mbikqyr veprimtarinë e policisë. Në këtë detyrë ishte emëruar afro 4 muaj më parë. Përpara se të merrte detyrën e agjentit të AMP-së,
Zoom.al mëson se ai ishte punonjës i Bashkisë së Tiranës. Ai rezulton të jetë i afërm i kreut të IMT-së së Tiranës, Rigers Sheqeri, i përfolur në media dhe i akuzuar për disa afera korruptive.
Nuk dihet arsyeja se përse ai e ka ndryshuar mbiemrin nga Sheqeri në Shaljanji dhe as lidhnja që ai kishte me Gilmando Danin, i cili dyshohet se ka qenë edhe shenjestra e atentatit.
Gilmando Dani është një personazh i njohur i botës së krimit në Shqipëri, i dënuar si pjesë e grupit të Emiljano Shullazit. Ai ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Emiljano Shullazit, i akuzuar për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me gjobëvënie, kërcënime dhe vepra të tjera penale.
Gilmando Dani u arrestua dhe u gjykua si pjesë e “bandës së Shullazit”, bashkë me Blerim Shullazin, Endrit Zelën dhe të tjerë, nën akuzën për gjobëvënie. Në vitin 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me 12 vjet burg. Në 2021, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin, duke konfirmuar dënimin për të dhe anëtarët e tjerë të grupit. Ai u lirua nga burgu në vitin 2024.
47 -vjeçari Gilmando Dani mbeti i plagosur në një atentat së bashku me Shullazin, në rrugën Tiranë–Rinas. Më vonë, disa automjete të blinduara në emër të tij u sekuestruan nga policia në kuadër të hetimeve për pasuri të dyshimta. /Zoom.al