Aplikacion
Rreth orës 14:00 të ditës së sotme, pranë aeroportit të Rinas, ndodhi një atentat kriminal me një të vdekur dhe një të plagosur.
Ngjarja, e ndodhur në një nga zonat me sigurinë më të lartë (të supozuar) në vend, gjatë orarit me lëvizshmërinë më të lartë të njerëzve dhe qarkullimit rrugor, rikthen dhe njëherë vëmendjen tek efektiviteti i strukturave të rendit dhe aktiviteti i zgjeruar kriminal.
Atentati nën dritën e diellit (dhe kamerave) tregon qartë se organizatat kriminale operojnë lirisht me mungesën e frikës nga ndëshkimi, duke vënë në pikëpyetje të gjithë sistemin e drejtësisë dhe duke rriskuar jetën e çdo qytetari.
Për ironi, paralelisht, pak kilometra nga Rinasi, aty në dhomat e Kuvendit, ministrja e punëve të Brendshme Albana Koçiu, po tregonte se si Shqipëria është bërë një vend më i sigurtë për shqiptarët dhe të huajt.
Me shifra, ministrja tha se indeksi i vrasjeve në Shqipëri ka rënë nga 1 në javë në 1 në dy javë, që në fakt është rezultat i një efekti statistikor (p.sh më 28 tetor u vranë 3 persona në pak orë).
Për një referencë kinematografike, që qeveria i pëlqen, James Gandolfini, ylli i serialit “The Sopranos” ka dëshmuar se gjatë xhirimeve, ku ai luante një personazh të mafias italo-amerikane, ka marrë disa herë telefonata anonime, ku persona të dyshuar i tregonin se si në të vërtetë operonte mafia. Kështu ishte dhe atentati i sotëm, një sfidë për shtetin dhe institucionet.
Ngjarje si kjo dëshmojnë se siguria publike nuk mund të ndërtohet mbi perceptime apo shifra, por mbi rezultate konkrete në parandalimin dhe zbardhjen e krimeve. /Zoom.al