zoom

Aktualitet

U qëllua me 10 plumba, Muçi Sheqeri ndodhet në intubim! Sekuestrohen kamerat e aeroportit për gjetjen e vrasësve të Gilmando Danit

U qëllua me 10 plumba, Muçi Sheqeri ndodhet në intubim! Sekuestrohen kamerat e aeroportit për gjetjen e vrasësve të Gilmando Danit

Muçi Shaljani, i njohur edhe si Muçi Sheqeri, ndodhet ende në gjendje kritike në Spitalin e Traumës, pas atentatit të ndodhur mesditën e së martës (11 nëntor) pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani.

40-vjeçari raportohet se është në intubim në repartin e reanimacionit dhe po lufton për jetën, pasi ka marrë rreth dhjetë plumba në trup, dy prej të cilëve në kokë. Mjekët bëjnë të ditur se gjendja e tij mbetet shumë e rëndë dhe orët në vijim do të jenë vendimtare për mbijetesën.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka nisur këqyrjen e kamerave të sigurisë në bizneset pranë zonës dhe në perimetrin e aeroportit për të identifikuar lëvizje të dyshimta të personave që mund të kenë pasur rol në ndihmën e autorëve. Dyshohet se disa individë mund të kenë ndjekur lëvizjet e Danit dhe Shaljanit që prej momentit të mbërritjes së tyre nga Spanja dhe t’u kenë dhënë informacione atentatorëve.

Sipas burimeve hetimore, autorët ndodheshin brenda një automjeti tip “Toyota”, të parkuar pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ku kanë pritur daljen e makinës së viktimës. Po verifikohen të gjitha mjetet dhe personat që kanë lëvizur disa herë pranë portës dalëse të aeroportit, si dhe ata që kanë qëndruar më gjatë në zonë dhe janë larguar menjëherë pasi kanë dalë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.

Si ndodhi atentati

Ngjarja ndodhi rreth orës 14:30 të së martës, më 11 nëntor, në momentin kur automjeti me të cilin udhëtonin Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani sapo kishte dalë nga aeroporti. Persona ende të paidentifikuar hapën zjarr me breshëri kallashnikovi drejt mjetit të tyre.

Sipas dëshmive dhe pamjeve të siguruara nga kamerat, autorët kanë qenë të maskuar dhe të veshur me rroba ngjyrë blu, të ngjashme me uniformën e policisë. Pasi makina e viktimave është ndalur, njëri prej autorëve ka zbritur, ka lënë kallashnikovin dhe me një armë pistoletë ka qëlluar nga afër drejt pasagjerit, Gilmando Danit, i cili kishte ndërruar jetë në vend.

Pas sulmit, autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës, ku më pas është gjetur e djegur makina që përdorën në atentat. Kalimtarë të rastit janë afruar për të hapur derën e shoferit, pasi kanë parë që ai jepte shenja jete, por dera nuk hapej. Një civil ka thyer xhamin e makinës dhe ka nxjerrë jashtë të plagosurin, që më vonë u identifikua si agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani.

Në sediljen e parë ndodhej pa shenja jete Gilmando Dani, 47 vjeç, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, i lidhur ndër vite me figura të botës së krimit, përfshirë Emiljano Shullazin. Dani kishte dalë nga burgu rreth një vit më parë dhe më 7 nëntor ishte nisur drejt Barcelonës bashkë me mikun e tij, për t’u kthyer në Shqipëri vetëm katër ditë më vonë — në udhëtimin që do t’i merrte jetën.

Hetimet vijojnë në disa pista, ndërsa autoritetet dyshojnë se atentati është kryer nga persona me përgatitje të lartë profesionale dhe me informacione të sakta për lëvizjet e viktimës./Zoom.al

Postime të lidhura