zoom

Aktualitet

Zbardhet skandali në AMP/ Dy policë falsifikuan dokumentet për Muçi Shaljanin

Zbardhet skandali në AMP/ Dy policë falsifikuan dokumentet për Muçi Shaljanin

Dy punonjës të Policisë së Shtetit janë vënë në pranga në Tiranë, pasi dyshohet se kanë ndihmuar Muçi Shaljanin të punësohej në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, në kundërshtim me ligjin.

Burime nga AMP bëjnë me dije se janë arrestuar Nënkomisar Bruno Cara, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve, dhe Inspektor Ashim Zajni, Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin Nr. 3 të Tiranës.

Hetimet paraprake tregojnë se dy efektivët dyshohet të kenë përpiluar në bashkëpunim Vërtetimin e Besueshmërisë për shtetasin Shaljani, duke mos përfshirë të dhëna që do ta skualifikonin atë nga përfshirja në radhët e AMP-së.

Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Në njoftimin zyrtar, AMP bën me dije se nga verifikimet u konstatuan shkelje të procedurave ligjore gjatë procesit të rekrutimit të Shaljanit.

Dokumentacioni i plotë është dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vijimin e hetimeve dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.

Muçi Shaljani mori 10 plumba në trup gjatë atentatit mafioz në Rinas, ku u vra Gilmando Dani. Shaljani ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë./ Zoom.al

Postime të lidhura