Aplikacion
Gazetari investigativ Artan Hoxha ka hedhur dritë mbi disa nga prapaskenat e atentatit të ndodhur pak ditë më parë në zonën e Rinasit, ku humbi jetën Gilmando Dani, ndërsa mbeti i plagosur Muçi Sheqeri.
Sipas tij, atentati nuk ishte një akt i rastësishëm, por pjesë e një skenari të mirëmenduar nga një grup i strukturuar kriminal që vepron në mënyrë profesionale dhe me precizion të frikshëm.
Artan Hoxha deklaroi se pas ngjarjes qëndron një organizatë që ai e quan “skuadra e pushkatimit”, një grup i vogël, por jashtëzakonisht efektiv, që sipas tij del në veprim rrallë, por çdo herë me pasoja fatale.
“Kjo është një ngjarje që mbart shumë mesazhe. Nuk është zgjedhur rastësisht as vendi, as momenti. Kam folur shpesh për një skuadër pushkatimi që zakonisht nuk del shpesh në skenë, por kur vepron, rendimenti i saj është 100%. Për fat të keq, ata janë të pakapshëm për agjencitë tona ligjzbatuese”, u shpreh gazetari.
Ai kujtoi se që prej disa vitesh ka publikuar fotografi dhe të dhëna për personat që dyshohet se janë pjesë e këtij grupi, duke theksuar se kanë kryer disa nga atentatet më të bujshme të viteve të fundit në Shqipëri. Sipas tij, është e njëjta skuadër që qëndron pas vrasjes së Brilant Martinajt në Fushë-Krujë.
“Këta individë kanë vepruar në disa qytete, përfshirë Durrësin dhe Fushë-Krujën. Ata përdorin mjete të sofistikuara, përgatitje ushtarake dhe, në shumë raste, janë maskuar me uniforma policie për të mos u identifikuar. Nuk janë ushtarakë, por janë profesionistë të krimit, të trajnuar për të vrarë me efikasitet dhe për t’u zhdukur pa lënë gjurmë,” – shtoi Hoxha.
Gazetari theksoi gjithashtu se vendi ku u zhvillua atentati, pranë aeroportit të Rinasit, në një zonë të mbuluar nga dhjetëra kamera sigurie, tregon guximin dhe përllogaritjen e ftohtë të autorëve.
“Kur një grup vendos të veprojë në një zonë si Rinas, ku çdo lëvizje monitorohet, kjo tregon se kemi të bëjmë me njerëz që ndihen të sigurt se nuk do të kapen. Ky është një mesazh shumë i qartë për rivalët, por edhe për autoritetet”, nënvizoi ai.
Policia ka shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje, ndërsa po verifikohen lëvizjet e automjeteve të përfshira në ngjarje. Megjithatë, Artan Hoxha është skeptik se autorët do të identifikohen lehtë, duke kujtuar se “kjo skuadër” është përfshirë në disa vrasje të ngjashme pa lënë pas asnjë gjurmë konkrete./ Zoom.al