Aplikacion
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka dhënë detaje të reja në lidhje me atentatin pranë aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë punonjësi i AMP-së, Muçi Shaljani.
E pyetur për autorët e mundshëm të atentatit, Lala tha se disa persona janë shoqëruar nga policia, ndërsa hetimet vijojnë në disa pista.
“Mbrëmë ka pasur të shoqëruar nga zona e Niklës, por janë kërkuar edhe dy persona nga Vlora, të cilët ende nuk janë gjetur”, u shpreh gazetarja, duke theksuar se mungesa e patrullave policore në momentin e ngjarjes mbetet e pashpjegueshme.
“Nuk ka shpjegim se përse nuk ka pasur patrullë policie. Mund të vriteshin njerëz të pafajshëm, dëmi mund të ishte shumë më i madh. Kjo ngjarje duhet të ketë përgjegjësi politike dhe morale”, shtoi ajo.
Sipas Lalës, atentati i Rinasit ka cenuar seriozisht sigurinë kombëtare.
“Atentati ka cenuar sigurinë kombëtare. Është një vend shumë i populluar, aty pranë ndodhet hyrja e terminalit shtetëror dhe gjithçka ka ndodhur në pikun e ditës”, deklaroi Lala.
Ajo tregoi se viktima, Gilmando Dani, ishte anëtar i grupit të Emiljano Shullazit dhe ndodhej në makinë bashkë me punonjësin e AMP-së, Muçi Shaljani.
“Gilmando Dani ka qenë me syze e kapele. Ata kishin kaluar në kalimet elektronike dhe kishin marrë makinën në parkim. Ekzekutorët kanë pasur informacion të plotë se ku ndodhej në makinë Dani. Atentatorët e donin të vdekur Gilmando Danin”, –theksoi Klodiana Lala.
Gazetarja tha se Dani kishte marrë kohët e fundit paralajmërime për rrezikun që e kërcënonte.
“Së fundmi, ai kishte marrë sinjalizime për t’u ruajtur. Kishte mbajtur një profil të tërhequr, ishte fejuar dhe pjesën më të madhe të kohës e kalonte në Spanjë”, tregoi ajo.
Lala foli gjithashtu për punonjësin e AMP-së që u plagos në atentat.
“Muçi Shaljani që u plagos është pronar i një hoteli në mes të Tiranës. Dy zyrtarë kanë falsifikuar të dhëna për rekrutimin e tij. Ai ishte biznesmen në kryeqytet dhe nuk kishte nevojë për para. Zyrtarët e lartë policorë duhet të japin shpjegime sesi ai u bë pjesë e AMP-së”, deklaroi gazetarja në “Opinion”.
Në fund, Klodiana Lala theksoi se Gilmando Dani ishte një person i skeduar prej kohësh dhe që kishte qenë objekt i disa atentateve të mëparshme e nuk kishte një raport se me kë shoqërohej ai.