Aplikacion
Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja për atentatin mafioz që ndodhi një ditë më parë pranë aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos Muçi Shaljani, i njohur edhe si “Sheqeri”.
Sipas Lalës, vrasja dyshohet të jetë një larje hesapesh dhe në të vërtetë ka qenë një mesazh i qartë për Emiljano Shullazin, mikun dhe bashkëpunëtorin më të afërt të Danit.
“Besohet se objektivi i vërtetë ishte Shullazi, por siç dihet ai ndodhet pas hekurave. Autorët, të pamundur ta godasin atë drejtpërdrejt, kanë goditur njeriun më të afërt të tij, Gilmando Danin”, tha Lala.
Ajo shtoi se Dani mund të jetë tradhtuar nga dikush brenda rrethit të tij, pasi autorët kanë pasur informacione shumë të sakta për lëvizjet dhe itinerarin e tij.
“Më 7 nëntor ai kishte udhëtuar drejt Barcelonës. Autorët kanë ditur çdo lëvizje, kanë pritur në rrethrrotullim të qetë, të sigurt se makina do kalonte aty. Madje kanë ditur edhe se ai ishte ulur në vendin e pasagjerit – aty ku u përqendruan breshëritë e plumbave”, shtoi Klodiana Lala./ Zoom.al