zoom

Aktualitet

Vrasja në Rinas, ish-drejtori i Policisë: Krimi i organizuar po lulëzon! Fëmijët e mi lanë Atdheun, këtu s’gjejnë shpresën

Vrasja në Rinas, ish-drejtori i Policisë: Krimi i organizuar po lulëzon! Fëmijët e mi lanë Atdheun, këtu s’gjejnë shpresën

Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Mit’hat Havari, ka reaguar pas vrasjes së Gilmando Danit ditën e djeshme në afërsi të aeroportit të Rinasit, duke deklaruar se ngjarja tregon më qartë se kurrë se krimi i organizuar në Shqipëri po lulëzon dhe po kthehet në një kërcënim serioz për sigurinë publike.

Në intervistën e tij, Havari u shpreh se teoria se në Shqipëri nuk ka krim të organizuar ka rënë prej kohësh, ndërsa atentati ndaj Gilmando Danit është dëshmi e pastër se veprimet kriminale janë të organizuara dhe të mirëkoordinuara.

“Teoria që në Shqipëri nuk ka krim të organizuar ka kohë që ka rënë. Sot kemi prova të qarta që krimi i organizuar ekziston dhe po lulëzon. Fakti që një person është shoqëruar nga Barcelona deri në Tiranë dhe ka pasur njerëz në aeroport që kanë dhënë informacione, tregon se kemi të bëjmë me një punë të organizuar, jo me një atentat të beftë apo të pamenduar“, shtoi ai. “Ajo që ndodhi është terror, një terror psikologjik edhe për qytetarët.”

Havari shprehu edhe zhgënjimin e tij personal për situatën në vend, duke treguar se tre fëmijët e tij janë larguar nga Shqipëria për të ndërtuar jetën diku tjetër.

“Po marrin arratinë, përfshirë tre fëmijët e mi. Kanë lënë atdheun, sepse këtu nuk gjejnë shpresën. Këtu ushqehet një shoqëri me vese”, theksoi ai.

Ish-drejtori kritikoi gjithashtu heshtjen e drejtuesve të policisë përballë akuzave publike ndaj tyre:

“Nuk kam konflikt interesi me policinë, por kur shoh drejtues të akuzuar publikisht që heshtin, atëherë janë të kompromentuar.”/Zoom.al

Postime të lidhura