zoom

Aktualitet

Merr fund “represioni” i policisë rrugore, hiqen patrullat dhe postblloqet në rrugë

Merr fund “represioni” i policisë rrugore, hiqen patrullat dhe postblloqet në rrugë

Pikat tradicionale të kontrollit nga Policia Rrugore në akset kombëtare dhe rrugë të tjera i përkasin tashmë të kaluarës.

Me një urdhër të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, prania fizike e efektivëve në formën e postblloqeve nuk do të jetë më pjesë e praktikës së përditshme.

Në një telegram të shpërndarë në të gjitha drejtoritë vendore, ky vendim argumentohet me ankesat e qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve për ndalimet rutinë, të cilat shpesh janë konsideruar pa bazë të qartë ligjore dhe kanë shkaktuar vonesa të panevojshme gjatë udhëtimeve.

Sipas udhëzimeve të reja, kontrolli i shkeljeve të qarkullimit rrugor do të mbështetet kryesisht te teknologjia. Radarët e shpejtësisë dhe dronët monitorues do të përdoren për evidentimin automatik të shkeljeve, ndërsa në disa nga akset kryesore pritet të instalohen kamera inteligjente në kuadër të projektit “Smart City”. Në këtë mënyrë, prania fizike e policisë në rrugë synohet të reduktohet ndjeshëm.

Megjithatë, për raste specifike ku kërkohet ndërhyrje në terren, do të hartohen plane të posaçme kontrolli, të drejtuara nga strukturat përgjegjëse të Policisë Rrugore.

Ky vendim, i cili ka hyrë në fuqi që prej 10 prillit, pritet të mirëpritet nga qytetarët, jo vetëm për lehtësimin e qarkullimit, por edhe për reduktimin e rasteve të korrupsionit, që shpesh janë lidhur me kontrollet fizike në rrugë.

Postime të lidhura