zoom

Aktualitet

Thumanë–Kashar, nën lupën e SPAK

Thumanë–Kashar, nën lupën e SPAK

Koncesioni 420 milionë euro për rrugën Thumanë–Kashar është futur zyrtarisht në hetim nga SPAK.

Prokuroria e Posaçme e rendit këtë projekt mes tenderave për të cilët dyshohet se janë manipuluar nga zv.kryeministrja Belinda Balluku. Sipas relacionit që SPAK ka dërguar në Kuvend, Balluku dyshohet se ka orientuar dhe përcaktuar fituesin e procedurës së prokurimit.

Veprimet janë kryer nga pozicioni i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me drejtues të institucioneve vartëse.

SPAK thotë se ndikimi ka nisur që në fazën përgatitore të tenderit, ka vijuar gjatë zhvillimit të procedurës dhe ka përfunduar në vlerësimin e ofertave.

Prokuroria vlerëson se janë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorë të caktuar ekonomikë, në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik.

Tenderi për autostradën Thumanë–Kashar, i fituar nga kompania Gener 2 e biznesmenit Bashkim Ulaj, i shtohet listës së gjatë të projekteve nën hetim.

Balluku është tashmë e pandehur për tunelin e Llogarasë dhe në hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe të Tiranës. Po ashtu, sipas relacionit të SPAK, ajo është e dyshuar edhe për të paktën 3 tendera të tjerë.

Në kërkesën për heqjen e imunitetit, SPAK kërkon arrestimin e Ballukut. Argumenti kryesor është rreziku për prishje të provave dhe presion ndaj dëshmitarëve.

Prokuroria thekson se situata penale e saj është rënduar ndjeshëm. Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi sot masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit, ndërkohë që çështja e pezullimit nga detyra nuk është shqyrtuar.

Pprojekti Thumanë–Kashar është një nga kontratat më të shtrenjta rrugore në vend. Autostrada përllogaritet se ka kushtuar 21 milionë euro për kilometër, ndërsa në fund të 35 viteve të koncesionit, kompania koncesionare pritet tëarkëtojë rreth 1.3 miliardë euro.

Pavarësisht kostove marramendëse, autostrada ka shfaqur probleme serioze. Bazamentet që lidhin urat kanë rënë, duke rrezikuar seriozisht jetën e drejtuesve të automjeteve. Kompania ka marrë disa masa për amortizimin e situatës, por zgjidhja duket provizore. Autostrada u tha që do të kishte një lëvizje prej 130 km/h, por me problemet që ka shfaqur tabelat tregojnë kufizime deri në 60 km/h. /Zoom.al

Postime të lidhura