zoom

Aktualitet

Abuzime me tenderat, Apeli lë në fuqi masën për Ballukun

Abuzime me tenderat, Apeli lë në fuqi masën për Ballukun

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë së ndalimit të daljes jashtë vendit ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Ndërkohë, Apeli nuk ka marrë në shqyrtim masën e pezullimit nga detyra, të caktuar më herët nga shkalla e parë, duke e lënë atë të pandryshuar deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Në seancën gjyqësore, Prokuroria e Posaçme ka mbajtur qëndrim të kundërt nga Apeli, duke kërkuar që të konfirmohej i gjithë vendimi fillestar, përfshirë edhe pezullimin nga funksioni publik.

Sipas SPAK, Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vetëm efektet e masës dhe jo vetë masën e sigurisë.

Ndërkohë, nesër në orën 10:30 do të nisë mbledhja e Këshillit për Imunitetin dhe Mandatet për të diskutuar për kërkesën e SPAK për Kuvendin që të heqë imunitetin e deputetit që gëzon Balluku, për të hapur rrugën e arrestimit të saj.

Belinda Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë, konkretisht për procedurën e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë me fond limit 190 milionë euro. Paralelisht, SPAK ka zgjeruar hetimet edhe për projektin e Unazës së Madhe, duke përfshirë të shtatë lotet, me një vlerë totale prej rreth 450 milionë eurosh.

Erald Elezi, aktualisht drejtor i KESH, akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë për dy procedura me vlerë 210 milionë euro, ndërsa Gentian Gjyli, kreu i ARRSH, përballet me akuza të ngjashme lidhur me tenderin e Tunelit të Llogarasë./ Zoom.al

Postime të lidhura