Aplikacion
TIRANË – Një tjetër lëvizje e rëndësishme ka ndodhur sot në radhët e Policisë së Shtetit, duke shenjuar atë që mund të cilësohet si nisja e çmontimit të rrjetit të besuar të ish-drejtorit Ilir Proda.
Me urdhër të drejtpërdrejtë të drejtorit të komanduar, Sokol Bizhga, është pezulluar nga detyra Ulian Shpataraku. Ai mbante pozicionin e asistentit në departamentin e Teknologjisë së Informacionit në Drejtorinë e Përgjithshme. Masa e pezullimit mësohet se është marrë për shkak se ai nuk paraqitej rregullisht në punë. Burime të Zoom.al thanë se “në Drejtorinë e Policisë ai sillej sikur të ishte vetë drejtori. Vinte dhe ikte kur të donte”.
Ky do të kishte qënë një pezullim i zakonshëm, nëse nuk do të bëhej fjalë për një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe “krahun e djathtë” të Prodës, i shkarkuar nga detyra vetëm 2 ditë më parë. Miqësia mes tyre ka lindur që në kohën kur të dy punonin në Elbasan.
Emri i Ulian Shpatarakut nuk është i panjohur për publikun. Në janar të vitit 2023 ai u pezullua nga pezullua nga detyra dhe u procedua penalisht, pasi më 14 shtator 2022 kapi të shumëkërkuarin për trafik droge E. Filja, por fshehu kapjen dhe e liroi, duke mos zbatuar vendimin e prokurorisë. Dyshohet se për këtë ai kishte bashkëpunuar me mikun e tij, Ilir Prodën.
Pas pezullimit ai arriti të rikthehej fuqishëm në radhët e uniformave blu, nën ndikimin e Ilir Prodës.
LEXO EDHE:
Disa media citojnë raporte të SHISH dhe AMP që sipas tyre, e lidhin Shpatarakun me bandat e Elbasanit dhe Durrësit. Sipas tyre, emri Shpatarakut është gjetur edhe në disa dosje të bandave të Elbasanit dhe Durrësit për dekonspirim aksionesh, mosraportim të krimeve dhe fshehje denoncimesh. Të njëjtat media shkruajnë se sipas këtyre raporteve Ulian Shpataraku dhe Ilir Proda kanë pasur lidhje me biznesmenin trafikant Mond Mëhalla, i cili u vra në një atentat në karburantin e tij, në Elbasan.
Analistët e shohin këtë lëvizje e Sokol Bizhgës për të pezulluar besnikun e Ilir Prodës si një sinjal të qartë se struktura e re po distancohet nga emrat që kanë dominuar policinë kohët e fundit, duke filluar pikërisht nga njerëzit që konsideroheshin “të paprekshëm” për shkak të lidhjeve me Prodën.
Ky shkarkim pritet të pasohet nga lëvizje të tjera në zinxhirin komandues jo vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, por edhe në Drejtoritë e Qarqeve, për të spastruar një herë e mirë policinë nga “ushtarët e Ilir Prodës.
Në 17 muaj që drejtori Policinë e Shtetit, Ilir Proda ka emëruar në strukturat kyçe të policisë të besuarit e tij, miq e shokë, duke shkelur parimet e meritës dhe kontributit në radhët e uniformave blu dhe duke dekurajuar oficerët e ndershëm të policisë.
Goditjen më të madhe ky rrjet pritet ta marrë me emërimin e Drejtorit të ri të Policisë, gara për zgjedhjen e të cilit u hap të marten. /Zoom.al
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës