Aplikacion
Shkarkimi i Ilir Prodës nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë nuk është halli i tij më i madh.
Vendimi i Kryeministrit Edi Rama për ta shkarkuar Prodën nga detyra nuk është një rrufe në qiell të hapur. Ai mendohet të jetë pasojë e një presioni të shtuar nga agjencitë e huaja ligjzbatuese dhe i disa hetimebe të SPAK.
Fakti që janë provat komprometuese ato që detyruan kreun e qeverisë të ndërmarrë këtë hap, sugjeron se dosja kundër ish-kryepolicit mund të jetë drejt kopsitjes së fundit.
Kjo e vë Ilir Prodën përballë rrezikut që ta shohë veten në pranga në pak kohë.
Akuzat për lidhje me eksponentë të të krimit të organizuar, veçanërisht me Suel Çelën dhe grupin e Troplinëve në Durrës, përbëjnë bazë për vepra të rënda penale si shpërdorimi i detyrës, dekonspirimi i aksioneve apo edhe mbështetja e grupeve kriminale.
Një element tjetër që mund të përshpejtojë lëvizjet e SPAK është lidhja e tij e ngushtë e zbuluar nga hetimet me Ergys Agasin, në kërkim për aferat e lidhura me AKSHI-n. Kjo e vendos Prodën në një rrjet ku ndërthuren interesat e krimit të organizuar me ato të korrupsionit në nivele të larta.
Burime të Zoom.al thonë se Proda është parë dhjetra herë në zyrën e Agasit dhe takimet mes tyre janë filmuar nga vetë Agasi dhe tani gjenden në dosjen e SPAK.
Kështu, shkarkimi i Prodës duket si prelud i arrestimit të tij.
Praktika e drejtësisë së re në Shqipëri ka treguar një model të atillë, sipas të cilit, zyrtarët e lartë që përfshihen në dosjet e SPAK-ut dhe të agjencive ndërkombëtare, shkarkohen ose japin dorëheqjen pak kohë para se t’u vihen prangat.
Me zhveshjen nga uniforma dhe mbrojtja institucionale që i ofronte zyra e Drejtorit të Përgjithshëm, Ilir Proda tashmë është një qytetar i thjeshtë përballë ligjit.
Nëse faktet e vendosura në tavolinën e Kryeministrit kanë qenë aq bindëse sa të mos anashkaloheshin dot më, gjasat janë të larta që ato fakte të jenë po aq të mjaftueshme për një kërkesë për masë sigurie “arrest me burg” nga ana e prokurorëve të posaçëm.
Ditët në vijim, sidomos pas zyrtarizimit të shkarkimit, që pritet të ndodhë në fillim të javës, do të jenë deçizive për të parë nëse Ilir Proda do të jetë zyrtari i radhës i lartë i policisë që do të përballet me dyert e paraburgimit. /Zoom.al
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës