zoom

Të gjitha

“Porti i Durrësit, afera më e madhe korruptive në Europë”. Projekti mund të bllokohet nga hetimet e SPAK

“Porti i Durrësit, afera më e madhe korruptive në Europë”. Projekti mund të bllokohet nga hetimet e SPAK

“Ajo që parashikohet në Durrës nuk është gjë tjetër veçse Dubai i 1 mijë e 1 netëve i Edi Ramës dhe enturazhit të tij mafioz. Dosja prej 400 milionë euro e Portit, gjoja në Porto Romano, u hap në prokurori. Grantoj se ky është vetëm fillimi. Afera më e madhe korruptive sot në Europë ndoshta është Porti i Durrësit, që shkon në 4 miliardë euro.”

Kjo ishte deklarata e fortë e bërë sot nga Sali Berisha, duke rikthyer në qendër të debatit publik projektin më të përfolur urban të dekadave të fundit në Shqipëri, të njohur si Durrës Yachts & Marina.

Por përtej retorikës politike dhe përdorimit të një çështje të tillë sensitive për politikë, siç mund ta përdorë Sali Berisha, le të shohim se çfarë thonë faktet, sipas asaj që kanë zbuluar deri tani investigimet e Zoom.al mbi projektin që ndërtohet mbi 800 mijë metra katrorë tokë publike në zemër të Durrësit.

Sipas të dhënave zyrtare, projekti i “Durrës Yacht & Marina” parashikon një investim total prej 2.2 miliardë eurosh, me kulla rezidenciale dhe struktura turistike, si dhe ndërtimin e një porti turistik.

Porti, ndryshe nga projektet e tjera të ngjashme në Vlorë dhe Sarandë, nuk do të jetë kusht për projektin. Ndërsa në Vlorë e Sarandë është vendosur që Porti të ndërtohet para objekteve të tjera, në Durrës porti turistik do të ndërtohet pas kullave dhe hoteleve. Dhe për aq kohë sa ndërtimi i portit nuk është kusht, kompania “Eagle Hills” e biznesmenit arab Mohammed Alabbar mund të largohet pa e berë atë, pasi të ketë marrë paratë e kullave.

Qeveria e ka prezantuar si investimin më të madh të huaj në historinë e Shqipërisë. Por me çfarë formule i janë dhënë Alabbar -it 80 hektarë tokë publike? Investigimet e Zoom.al kanë zbuluar se projekti që zhvillohet mbi një nga asetet më strategjike të shtetit shqiptar është dhënë pa iu bërë një një vlerësim i plotë financiar i kësaj prone përpara se të kalojë në zhvillim privat.

Shteti shqiptar hyri në një marrëveshje me investitorin përmes një formule që përjashtoi garën ndërkombëtare klasike të tenderimit. Ky fakt ka acaruar së tepërmi Bashkimin Europian.

Me nisjen e projektit të Portit Turistik, porti i ri tregtar parashikohet të zhvendoset në Porto Romano, me kosto shtesë infrastrukturore që rëndojnë indirekt mbi buxhetin publik. Janë 400 milionë euro që do të investohen nga buxheti i shtetit, ndryshe nga sa ishte thënë në fillim nga Edi Rama. Por ky port ka pak gjasë të ndërtohet, për aq kohë sa SPAK ka sekuestuar dosjen e tij. Nëse ai nuk përfundon, porti turistik i Durrësit nuk do të mund të ndërtohet.

Si pasojë, shqiptarët që kanë dhënë shuma të mëdha parapagim për të pasur një apartament rrezikojnë të mos i marrin pronat e tyre. Zoom.al ka raportuar me herët se paratë e shqiptarëve me të cilat po ndërtohet Durrës Yachts & Marina janë të rrezikuara dhe se mungesa e transparencës në detajet financiare dhe në strukturën e plotë të marrëveshjes ka krijuar dyshime të mëdha.

LEXO EDHE:


Eagle Hills i Alabbar, sipas marrëveshjes, do të duhej të siguronte vetëm 180 milionë euro për ndërtimin e projektit. Shuma tjetër prej 2 miliadë eurosh do të sigurohej nga shitja e aparatmenteve apo forma të tjera. Dyshimet janë se kontrata ka krijuar lehtësi edhe për futjen në projekt të parave që vijnë nga trafiku i drogës, call center -at apo korrupsioni, si një mekanizëm për pastrimin e parave.

Qeveria e Edi Ramës e ka mbrojtur projektin si një transformim historik urban, që do ta kthejë Durrësin në një destinacion elitar mesdhetar. Por disa media dhe disa ekspertë kanë ngritur dyshime të forta. Edhe pse ndërtimi ka nisur, askush nuk thotë dot sot se çfarë ndodh nëse projekti nuk realizohet sipas parashikimeve.

Bashkimi Europian po e sheh në lupë këtë projekt, si për mënyrën e dhënies pa garë apo për favorizim të një investitori jashtë BE-së, ashtu edhe si pjesë e luftës kundër korrupsionit. /Zoom.al

Postime të lidhura