zoom

Aktualitet

Anulohet procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano

Anulohet procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano

Procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar.

Anulimi u bë për shkak se kompania e vetme e mbetur në garë nuk paraqiti ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar.

Kompania Archirodon, e vetmja që vijonte në garë në fazën përfundimtare të tenderit, nuk dorëzoi ofertën e saj financiare më 9 mars.

Tenderi kishte një vlerë të përllogaritur prej rreth 400 milionë eurosh dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në zonën e Porto Romanos.

Ndërkohë procedura e tenderit po hetohet nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK).

Mesazhi i Ramës

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur më 9 mars në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, dha një mesazh për persona, që sipas tij, duan që të dështojë projekti i portit në Porto Romano. Rama deklaroi se qeveria e di se kush janë këto persona.

Ai shtoi se këta persona nuk do t’ja dalin dhe se projekti tek Porto Romano do të realizohet. Sipas kryeministrit, qeveria ka vetëm një objektiv dhe ai është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

”Ndërtimi i portit të ri në Porto Romano parashikon 3-fishimin e kapaciteteve përpunuese aktuale. Ata që luftojnë projektin e Porto Romanos, ne e dimë se kush janë dhe i kanë bërë llogaritë gabim, sepse projekti do bëhet. Unë nuk kam plan B, vetëm shoh BE-në. Për çdo gjë tjetër, jam tek C-ja.”, deklaroi Kryeministri.

Amerika kërkoi anulimin e tenderit

Kur kishin mbetur vetëm pak ditë nga afati përfundimtar për shpalljen e ofertës për portin e ri të Durrësit në Porto Romano, në adresën elektronike të kryeministrit Edi Rama mbërriti një mesazh që e këshillonte të bënte një hap pas.

Emaili u dërgua nga Grant Van Cleve, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, i cili e konsideron këtë projekt si një vendim që merret një herë në 100 vjet dhe kërkoi shtyrjen e garës pasi sipas tij projekti ekzistues i heq Shqipërisë shansin të jetë konkurruese në rajon.

Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, vendimi i planifikuar për tenderin e Porto Romanos përfaqëson një moment strategjik që mund të përcaktojë pozicionin ekonomik dhe gjeopolitik të Shqipërisë në Evropën Juglindore për dekada.

Van Cleeve argumentoi se projekti aktual i portit është shumë i vogël, me rreth 400 metra mur moli dhe një sipërfaqe portuale prej 38 hektarësh, kapacitete që nuk mund të konkurrojnë me portet e mëdha rajonale.

Sipas tij, një zhvillim strategjik i Porto Romanos duhet të synojë një port me ujëra të thella deri në 18 metra, me kapacitet mbi 2 milion TEU për kontejnerë, zona të mëdha logjistike dhe zona të lira tregtare, si dhe terminale për transport RoRo dhe energji, përfshirë edhe LNG nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në përfundim, ai kërkoi që tenderi i planifikuar të shtyhej dhe projekti të rishikohej në përputhje me kërkesat strategjike të Korridorit 8 dhe NATO-s. Sipas tij, projekti mund të zhvillohet brenda këtij viti me financim të përbashkët nga partnerë nga SHBA dhe Italia, si dhe me përfshirjen e kompanive inxhinierike nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia.

Postime të lidhura