zoom

Aktualitet

Porti i Durrësit/ Artan Hoxha zbardh prapaskenat: SHBA-BE bënë presion, çfarë i kërkoi ambasadorja amerikane Ramës

Porti i Durrësit/ Artan Hoxha zbardh prapaskenat: SHBA-BE bënë presion, çfarë i kërkoi ambasadorja amerikane Ramës

Gazetari Artan Hoxha ka ngritur shqetësime lidhur me projektin për transformimin dhe zhvendosjen e Portit të Durrësit, duke e cilësuar atë si një zhvillim që mund të dëmtojë një nga asetet më të rëndësishme strategjike të Shqipërisë.

Gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë”, ai komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama në konferencën me gazetarët dhe theksoi se porti aktual i Durrësit po shkon drejt dobësimit, ndonëse përbën një pikë kyçe për lidhjen e rajonit me tregjet ndërkombëtare dhe korridoret detare që shtrihen drejt Detit të Zi.

Hoxha deklaroi se çështja e projektit të Porto Romanos ka qenë një nga temat e diskutuara gjatë një vizite në Tiranë të ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Greqi, e cila zhvilloi një takim me kryeministrin Rama.

Sipas tij, partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA dhe Bashkimin Evropian, kanë shprehur rezerva për zhvillimin e këtij projekti, duke pasur parasysh rëndësinë strategjike që portet kanë edhe për sigurinë rajonale dhe interesat e NATO-s.

“Duan ta quajnë marina e Dubait dhe quhet marina e Durrësit. Po asgjësojnë portën kryesore që lidh detin e Zi, që ka interesa të mëdha. Dhe ti eleminon portin e Pireut dhe ti merr një rëndësi të veçantë, je këmba e urës për tu hedhur në Evropë. Ne e asgjësuam qëllimisht jo për papërgjegjshmëri.

Ne kemi port në Vlorë dhe s’ka vinç. Dhe portin e Durrësit po e asgjësojmë, po ja heqim kombit shqiptar një nga asetet e tij.

Ne po krijojmë një port tjetër që nuk krahasohet me atë të Durrësit. Ne duhet të krijojmë një port më të madh se ai ekzistues. Ne po shkojmë drejt një porti më të vogël se ai, që zvogëlojmë përmasat tona. Dhe për më tepër që kjo është një nyje strategjike dhe për partnerët ndërkombëtarë, ne tenderin që zhvilluam ja dhamë një konsorciumi që ka interesa, me pronarë ruso-grekë. Pra asetin tënd kryesor më të madh në vend, ja beson dikujt që nuk është i mirëpritur, s’po jap informacione që e kanë agjencitë sekrete. SHBA dhe BE nuk i mirëpret këta zhvillues të këtij projekti. Ky aset kthehet në një aset të NATO-s, nuk i besohet këtij projekti. Rama tha se ne e bëmë këtë pikërisht për presionin e SHBA dhe BE sepse na thanë se do keni pasoja. Një nga vizitat e fundit të ambasadores së SHBA në Greqi në Tiranë, një nga shkaqet është dhe porti i Porto Romanos. Një nga arsyet dhe ne duhet të jemi shumë të kujdeshsëm, pasi po i bëjmë dëm kombit”, tha Artan Hoxha.

Pak ditë më parë, u anulua tenderi tenderi për portin e ri në Porto Romano.

“Kemi një tërheqje të ofertuesit të vetëm që kishte mbetur në garë, me një arsye krejtësisht ekonomike. Komisioni do vijojë me procedurën. Rikujtoj se kryeministri e tha qartë që ka aktorë që po përpiqen ta frenojnë për qëllime të ndryshme, do të ndërtojmë një skenar tjetër dhe çdo aktor tjetër nuk do mundet ta frenojë këtë projekt të rëndësishëm. Gjatë gjithë procesit të prokurimit, autoriteti portual i Durrësit ka pasur një kontratë të posaçme dhe gjithë dokumentet ligjore kanë qenë pjesë. Projekti i Porto Romanos ka mbi dy vite që është hetuar”, njoftoi ministri Enea Karakaçi.

Tenderi kishte një vlerë të përllogaritur prej rreth 400 milionë eurosh dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në zonën e Porto Romanos.

Ndërkohë procedura e tenderit po hetohet nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion./ Zoom.al

Postime të lidhura