zoom

Lajme

Skandali në “Durrës Marina”, IKMT e AZHT në shërbim të Alabbar? Përforcime “kozmetike” pa garanci, për të shpëtuar mikun e kryeministrit

Skandali në “Durrës Marina”, IKMT e AZHT në shërbim të Alabbar? Përforcime “kozmetike” pa garanci, për të shpëtuar mikun e kryeministrit

DURRËS – Fadromat e IKMT-së nuk u ndalën kur qindra banorë të u dolën pëpara për t’i ndalur që të mos ua shembnin apartamentet në pallatet e dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019. 

Vendimi nga institucionet qe marrë pa mëdyshje. Banorët e thjeshtë e kundështuan po me dokumentacione zyrtare, që vërtetonin se pallatet nuk ishin në kushtet për t’u shembur. 

Por askush nuk i pyeti. Askush nuk u tha se mund të ndërhyhej për t’i përforcuar. 

Por, kur bëhet fjalë për Mohamed Alabbar, investitorin e projektit “Durrës Marina” dhe mikun e deklaruar të kryeministrit Edi Rama, IKMT, AZHT dhe institucionet e tjera kanë një qasje diametralisht të kundërt. 

Deklarata e fundit e IKMT-së, e cila pranon se dy godina në projektin e shumëpërfolur kanë pësuar ulje alarmante prej 28 cm dhe 18 cm, duket se po përpiqet të arrnojë të çarat e një skandali që ka shpërthyer prej ditësh. 

Në çdo vend normal, një ulje prej 28 centimetrash në fazën e parë të ndërtimit do të thoshte skualifikim i menjëhershëm i projektit dhe rrafshim i strukturës për shkak të dështimit total të sigurisë gjeoteknike. 

Por IKMT, AZHT dhe Instituti i Ndërtimit, në një sinkronizim të dyshimtë, i kanë kërkuar kompanisë së Alabbar thjesht marrjen e masave për përforcim të strukturës.

Kjo kërkesë, pas skandalit të zbuluar nga disa investigime mediatike, shihet si një tentativë e pastër për të mbrojtur investitorin nga një dështim publik që do të shembte fasadën e ndërtimit elitar. Në vend që të urdhëronin shembjen, siç është vepruar me qindra objekte pas tërmetit të 2019-ës, institucionet po i japin kohë Alabbar të krijojë alibi.

LEXO EDHE: https://zoom.al/alarm-ne-durres-marina-pallatet-e-alabbarit-zhyten-74-cm-ne-rere-qindra-bleres-ne-rrezik/

Ekspertët e inxhinierisë, që flasin nën kushtet e anonimatit, shprehen skeptikë. Përforcimi i një bazamenti që ka ceduar në këto përmasa në tokën kënetore të portit të Durrësit është thuajse i pamundur. 

Ai është ekstremisht i kushtueshëm, pasi ndërhyrjet me mikropilota dhe injeksione nën peshën e një godine 10-katëshe mund të kushtojnë miliona euro, kosto që shpesh tejkalon vlerën e vetë godinës.

Por nga ana tjetër, një ndërhyrje e tillë, thonë ata, nuk ka garanci afatgjatë. Në një zonë me aktivitet të lartë sizmik, një strukturë e arrnuar në themele nuk ofron kurrë të njëjtën siguri si një godinë e ndërtuar saktë nga fillimi. Kush do të mbajë përgjegjësi nëse pas disa vitesh godina vazhdon të ulet sërish apo të anojë? 

Qasja e AZHT-së dhe IKMT-së ngre pikëpyetje të forta.

Duket se i gjithë zinxhiri i institucioneve përgjegjëse është vënë në funksion të mbrojtjes së mikut të kryeministrit. Duke i lejuar përforcimet, shteti duket se po përpiqet të qetësojë qytetarët që kanë hedhur miliona për të prenotuar apartamente në “Durrës Marina”.

Ndërsa bazamenti i pallateve ka lëvizur dhe po zhytet në moçalin e kënetës, institucionet do të duhet t’i kishin bllokuar punimet. Ata do të duhet t’i monitoronin objektet për një kohë të gjatë, përpara se të vendosinin të lejonin biznesmenin arab Alabbar që të vijonte me projekte që nuk ofrojnë më siguri teknike. /Zoom.al

Postime të lidhura