zoom

In Zoom

Rama në Emirate, 100 mijë euro udhëtim, një varëse floriri për vete dhe faturën për shqiptarët

Rama në Emirate, 100 mijë euro udhëtim, një varëse floriri për vete dhe faturën për shqiptarët

Edi Rama njoftoi me shumë me emocione në rrjetet sociale se ishte “thellësisht i prekur nga një “surprizë e paimagjinueshme dhe nderimi i jashtëzakonshëm” prej Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan. 

Sheiku i kishte dhënë një medalje ari, më të lartën medalje të Emirateve, që mban emrin e themeluesit Sheikh Zayed. Një varëse floriri, që e ekspozoi me krenari si simbol respekti dhe miqësie, por siç thotë shprehja që vetë Rama e përdor jo pak, dardha e ka bishtin prapa. 

Pas fotografisë dhe fjalëve të përzgjedhura me kujdes për të vlerësuar sa veten aq edhe ata që i dhanë varësen e floririt me diamante, lindin jo pak pyetje. Më e zakonshmja është se sa u kushtoi kjo “surprizë e paimagjinueshme” shqiptarëve?

Udhëtimi i Kryeministrit në Emiratet e Bashkuara Arabe besohet se i ka kushtuar buxhetit të shtetit dhjetëra mijëra euro. Afro 100 mijë janë përllogaritjet, por shifra është ende e paverifikuar. Janë shpenzime për avionë, akomodim, protokoll, sigurinë dhe delegacionin. E gjitha kjo për një varëse floriri personale.

Nuk ka asgjë të gabuar që një kryeministër të nderohet nga një shtet mik. Problemi fillon kur nderimi personal financohet me para dhe me prona publike, ndërsa përfitimi mbetet vetëm individual.

Nderimi për Ramën vjen në një kohë kur sheiku i Emirateve dyshohet se qëndron pas kompanisë offshore të Muhamed Alabbar “Eagle Hills”, të cilës Rama i dha pa garë Portin Turistik të Durrësit

LEXO EDHE: Sheiku i Ramës, miti i një miku të rremë të popullit shqiptar që po bëhet pronar i Shqipërisë

Dhe përballë një projekti të tillë, prej afro 2 miliardë eurosh, një varëse floriri s’është asgjë. 

Në fund të ditës, shqiptarëve u mbetet në kujtesë vetëm fotografia e kryeministrit me varësen e floririt në duar, ndërsa ata vetë përballen me faturën e udhëtimit të luksit, që duhet ta paguajnë me taksat e tyre dhe me çmimet e shtrenjta të apartamenteve që po ndërton Alabbar. 

LEXO EDHE: Rama i dha Portin e Durrësit, por Alabbar është nën hetim për mashtrim

Prej vitesh, qeverisja e Edi Ramës është ndërtuar mbi kultin e imazhit dhe simbolikës. Ceremoni, dekorata, vlerësime ndërkombëtare, shkrime të sponsorizuara në mediat e huaja, ekspozita personale në galeritë më të njohura dhe më të shtrenjta të botës, pritje me tapet të kuq për ndërkombëtarët e darka miqësore me liderë ndërkombëtarë.Shqiptarët e kanë ende në mendje sjelljen e tij në samitet me Merkel e Macron, gjatë të cilave atij iu ngjit edhe nofka “gastori”, pasi bënte për të qeshur me batuta dy liderët e BE-së vetëm e vetëm që të merrte vëmendjen e tyre dhe të mediave. 

Por sa më shumë rritet kulti i individit, aq më i shtrenjtë bëhet imazhi dhe aq më i lartë është çmimi që paguajnë shqiptarët. 

Qytetarët, ata shohin përmes optikës së arsyes, e dinë se një kryeministër nuk matet nga numri i medaljeve që merr jashtë vendit, por nga jetesa që u ka krijuar atyre, nga pagat që marrin, nga shërbimet publike që u ka ofruar, nga mënyra se si i shpenzon paratë e mbledhura nga taksat që ata paguajnë. 

Prandaj, Edi Rama edhe mund të flejë sonte me varësen e floririt në qafë, por pagat e shqiptarëve do të mbeten sërish më të ultat në rajon, shërbimet publike më të këqijat në Europë, ndërsa ai vetë mbetet një udhëheqës unik në kontinent përsa i përket jetës mondane që bën me paratë e qytetarëve të vet. 

Varësja e sheikut të Emirateve do t’i mbetet Edi Ramës përjetësisht, por kostoja e saj dhe e luksit të tij u mbeten shqiptarëve. /Zoom.al

Postime të lidhura