Aplikacion
Një skandal i përmasave të mëdha ka shpërthyer në kantierin e shumëpërfolur të “Durrës Yacht & Marina”. Disa dëshmi tronditëse nga brenda kantierit, ka konfirmuar se dy nga godinat e para të kompleksit të Mohamed Alabarit po fundosen në tokë, duke pësuar një ulje deri në 74 centimetra. Këto janë 2 nga 3 pallatet e vetme të ndërtuara deri tani nga ai që konsiderohet të jetë një projekt 2.2 miliardë eurosh.
Qindra blerës të cilët kanë paguar shuma marramendëse në fazë projekti, duke besuar te premtimi për një investim strategjik luksoz janë në rrezik. Pallatet e luksit po rezultojnë kështjella rëre.
Zoom.al iu drejtua disa inxhinierëve për koment mbi këtë skandal. Disa prej tyre, në dijeni të problematikës, thanë se shkak është kursimi në investim nga kompania ndërtuese.
“Duhet të ishin vendosur pilota të thella. Dihet se ai terren nuk është i qëndrueshëm”,-tha njëri prej tyre në kushte anonimiteti.
“Në një terren kënetor dhe ranor si ai i portit të Durrësit, ndërtimi pa pilotat e duhura është një vetëvrasje teknike dhe rrezik i madh”, -shtoi ai.
Të paktën dy të tjerë hodhën dyshime mbi një studim të thelluar e të saktë te gjeologjisë së tokës.
Emisioni “Piranjat” raportoi nga ana tjetër se janë konstatuar çarje të strukturës, dëmtim të kollonave dhe thyerje të dritareve e dyerve si pasojë e zhvendosjes së forcave të rëndesës.
Një burim i brendshëm i tha këtij emisioni se po tentohet një ndërhyrje emergjente me pilota anësore, por ekspertët e kontaktuar nga Zoom.al më parë kanë paralajmëruar se ndërhyrjet “post-factum” në struktura të tilla janë shpesh të pamjaftueshme për të garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë.
Zoom.al ka raportuar vazhdimisht se projekti “Durrës Marina” po ndërtohet me materiale jo cilësore dhe se jocilësore janë edhe punimet e tjera.
LEXO EDHE: https://zoom.al/durres-yachts-marina-iluzioni-qe-mund-te-perfundoje-ne-spak-dhe-rreziku-i-miliona-eurove-te-qytetareve-qe-kane-paguar-per-apartamente-ne-ajer/
Ky fakt përbën një alarm për qytetarët që kanë investuar parate e tyre. Projekti nuk po financohet nga xhepat e investitorëve arabë, por nga paratë e vetë shqiptarëve.
Të dhënat financiare konfirmojnë se për vitet 2023-2024 janë shpenzuar rreth 41 milionë euro, shifër kjo qesharake krahasuar me 2.2 miliardët e premtuar. Investitori ka hedhur vetë vetëm një pjesë minimale kapitali, ndërsa pjesa tjetër është mbuluar nga shitja e apartamenteve në gropë.
Ecuria e punkmeve është tejet e ngadaltë. Nga 1680 apartamente të premtuara në fazën e parë, vetëm 3 godina kanë marrë formë, dy prej të cilave tashmë janë në rrezik zhytjeje.
Këto zhvillime janë një këmbanë alarmi për blerësit. Qytetarët që kanë paguar disa këste nuk e dinë ende se kush do të mbajë përgjegjësi nëse këto godina shpallen të pabanueshme.
Shteti shqiptar, i cili ka dhuruar truallin e portit prej 800 mijë metra katrorë dhe ka hequr taksat për këtë projekt, deri më tani ka heshtur përballë shkeljeve teknike.
Blerësit, të cilët kanë paguar çmime që arrijnë deri në 3000-4000 euro për metër katror, gjenden përballë një rreziku të dyfishtë, humbjes së parave dhe rrezikimit të jetës në ndërtesa me strukturë të kompromentuar.
Ky projekt, i cili u prezantua si “Dubai i Ballkanit”, po shndërrohet në një makth për blerësit, pasi babëzia për të kursyer edhe në cilësinë e betonit dhe themeleve po fundos jo vetëm pallatet, por edhe besueshmërinë e shtetit shqiptar si garant i këtij investimi. © Zoom.al
Homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti, Aurela Gaçe me lot në sy: Do e mbaj premtimin