zoom

Aktualitet

IKMT konfirmon skandalin në “Durrës Marina”: Pallatet e sapondërtuara janë zhytur!

IKMT konfirmon skandalin në “Durrës Marina”: Pallatet e sapondërtuara janë zhytur!

Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka konfirmuar se pallatet e “Durrës Marina” janë zhytur në rërë dhe se struktura e tyre nuk është më e qëndrueshme.

Konfirmimi vjen pas pas raportimeve të publikuara në media lidhur me problematika mbi qëndrueshmërinë dhe sigurinë e dy objekteve të projektit që po zhvillohet nga “Eagle Hills” e Mohammed Alabbar.

Verifikimet janë kryer për dy objekte në zonat e menaxhimit A02 dhe A04, aktualisht në fazën e sistemimeve të jashtme. Raporti topografik i Institutit të Ndërtimit ka konstatuar se objekti 02 ka pësuar ulje prej 28 centimetrash, ndërsa objekti 04 ulje prej 18 centimetrash.

Konstatimet u kryen nga një grup i posacëm i ngritur me urdhër të Kryeinspektorit të IKMT-së, i përbërë nga përfaqësues të IKMT-së, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, IMT-së së Bashkisë Durrës dhe specialistë të Institutit të Ndërtimit.

Pas këtyre konstatimeve, IKMT ka kërkuar zyrtarisht nga kompania zbatuese marrjen e menjëhershme të masave për realizimin e projekt-përforcimeve teknike që garantojnë qëndrueshmërinë e strukturave.

Institucioni thekson se projektet e përforcimit duhet të marrin më parë miratimin e autoriteteve përgjegjëse, ndërsa garanton se do të vijojë mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit në kantieret e ndërtimit.

Zoom.al ka raportuar vazhdimisht se projekti “Durrës Marina” po ndërtohet me materiale jo cilësore dhe se jocilësore janë edhe punimet e tjera. 

Të dhënat financiare konfirmojnë se për vitet 2023-2024 janë shpenzuar rreth 41 milionë euro, shifër kjo qesharake krahasuar me 2.2 miliardët e premtuar. Investitori ka hedhur vetë vetëm një pjesë minimale kapitali, ndërsa pjesa tjetër është mbuluar nga shitja e apartamenteve në gropë. Ecuria e punimeve është tejet e ngadaltë. Nga 1680 apartamente të premtuara në fazën e parë, vetëm 3 godina kanë marrë formë, dy prej të cilave tashmë janë në rrezik zhytjeje.

Këto zhvillime janë një këmbanë alarmi për blerësit. Qytetarët që kanë paguar disa këste nuk e dinë ende se kush do të mbajë përgjegjësi nëse këto godina shpallen të pabanueshme. 

Shteti shqiptar, i cili ka dhuruar truallin e portit prej 800 mijë metra katrorë dhe ka hequr taksat për këtë projekt, deri më tani ka heshtur përballë shkeljeve teknike. Blerësit, të cilët kanë paguar çmime që arrijnë deri në 3000-4000 euro për metër katror, gjenden përballë një rreziku të dyfishtë, humbjes së parave dhe rrezikimit të jetës në ndërtesa me strukturë të kompromentuar.

Ky projekt, i cili u prezantua si “Dubai i Ballkanit”, po shndërrohet në një makth për blerësit, pasi babëzia për të kursyer edhe në cilësinë e betonit dhe themeleve po fundos jo vetëm pallatet, por edhe besueshmërinë e shtetit shqiptar si garant i këtij investimi.

DEKLARATA E IKMT

Në përgjigje të raportimeve të publikuara javët e fundit në media mbi problematika që lidhen me qëndrueshmërinë dhe sigurinë e dy prej objekteve të projektit zhvillimor “Durrës Marina”, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) sqaron sa vijon:

Në zbatim të përcaktimeve ligjore dhe detyrave funksionale, me urdhër të Kryeinspektorit të IKMT-së, u ngrit një grup i posaçëm inspektimi për verifikimin e situatës në terren. Grupi i kontrollit përbëhej nga inspektorë të IKMT-së, përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), inspektorë të IMT-së së Bashkisë Durrës, si dhe përfaqësues të Institutit të Ndërtimit (specialist të fushës).

Verifikimi u krye në lidhje me zbatimin e lejes së ndërtimit nr. 2349/12 prot., datë 10.09.2023, miratuar me Vendimin nr. 34, datë 01.08.2023, të KKT-së, për objektet: “Godinë banimi dhe shërbimi me 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë, 1 kat pjesërisht parkim nëntokë dhe 1 kat parkim nëntokë” dhe “Godinë banimi dhe shërbimi me 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë, 1 kat pjesërisht parkim nëntokë dhe 1 kat parkim nëntokë”, në zonat e menaxhimit A02 dhe A04, aktualisht në fazën ndërtimore të sistemimeve të jashtme.

Në përfundim të inspektimit, raporti topografik i Institutit të Ndërtimit konfirmon se:

Objekti 02, me fazë ndërtimore 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 28 cm;

Objekti 04, me fazë ndërtimore 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 18 cm.

Nisur nga këto konstatime, IKMT i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit, duke kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për realizimin e projekt-përforcimeve të nevojshme teknike, të cilat garantojnë qëndrueshmërinë e strukturave.

Ky projekt përforcimesh, përpara zbatimit, duhet të marrë miratimin nga autoritetet ligjore përgjegjëse për garantimin e respektimit të kushteve teknike të planifikimit dhe zbatimit të punimeve të ndërtimit.

Duke falënderuar median për bashkëpunimin dhe kontributin e saj, IKMT garanton se në kordinim me institucionet e tjera shtetërore sipas fushës së përgjegjësisë, mbetet maksimalisht e angazhuar dhe do të mbikëqyrë në vijimësi zbatimin e përcaktimeve ligjore në kantieret e ndërtimit.

/Zoom.al

Postime të lidhura