zoom

Aktualitet

Fundosja e pallateve të Alabbarit, Prokuroria e Durrësit nis hetimet

Fundosja e pallateve të Alabbarit, Prokuroria e Durrësit nis hetimet

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet lidhur me projektin “Durrës Marina”, pas konstatimit të fundosjes së dy pallateve të ndërtuara në zonë.

Sipas burimeve, prokuroria po mbledh dokumentacionin për të vijuar me verifikimet e tjera.

Pritet që në ditët në vijim, pranë prokurorisë së Durrësit, të regjistrohen edhe kallëzimet e para nga qytetarët që kanë blerë njësi tregtare dhe apartamente, tek godinat që kanë pësuar dëmtime në strukturën e themelit.

Skandali u raportua fillimisht nga emisioni “Piranjat” dhe më pas u vërtetua dhe nga inspektimet e IKMT-së, që raportoi se dy godinat janë zhytur me 28 dhe 18 cm.

Pallatet, të ndërtuara me leje të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), janë pjesë e projektit gjigant të biznesmenit Mohammed Alabbar, i cili synon transformimin e portit të Durrësit në një marinë jahtesh dhe destinacion luksoz. Emri i kësaj kompanie ishte garancia që iu dha shqiptarëve për ndërtime të sigurta dhe eficiente, por rezulton se kompania ka kontraktuar ndërtues e projektues shqiptarë. Firma e projektimit rezulton në pronësi të Ornela Muçit, ndërsa firma që ka kryer ndërtimin e godinave është “Elmazaj Konstruksion” në pronësi të Shkëlqim dhe Mirel Elmazaj.

Një pjesë e konsiderueshme e apartamenteve janë shitur ende pa përfunduar ndërtimi, me çmime reference që nisnin nga 2 mijë euro për metër katror.

Projekti, i kundërshtuar prej kohësh nga ekspertë të pavarur dhe opozita, është mbrojtur publikisht nga kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar si një transformim rrënjësor që synon ta vendosë Shqipërinë në hartën e porteve elitare ndërkombëtare.

Postime të lidhura