Aplikacion
Granit Pepnika, i shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të hetimeve për dosjen e njohur të Call Center-ave, është arrestuar në Dhërmi.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit për lokalizimin dhe kapjen e personave të kërkuar nga drejtësia. Pepnika ishte subjekt i një mase sigurie “arrest në burg”, të caktuar më herët nga Gjykata e Tiranës.
Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka pasur një rol të rëndësishëm në skemën e mashtrimit kompjuterik të organizuar përmes Call Center-ave, ku viktima kanë qenë qindra shtetas, kryesisht nga vendet e Bashkimit Evropian.
Nga veprimtaria e dyshuar kriminale, autoritetet vlerësojnë se dëmi ekonomik i shkaktuar arrin në rreth 50 milionë euro.
Pepnika rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë për vjedhje me dhunë, dënim i konfirmuar edhe nga Gjykata e Lartë në prill 2024.
Ai dyshohet se menaxhon injektimin e parave të vjedhura në ekonominë shqiptare përmes kompanive fasadë, investimeve në pasuri të paluajtshme dhe automjete luksoze.
Sipas të dhënave të marra në QKB, Pepnika dhe bashkëshortja e tij Anisa Pepnika, kanë një rrjet kompanish, që dyshohet se shërbejnë për të pastruar paratë e fituara me call center -a.
Hetimet për këtë dosje janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Europol.
Një operacion masiv policor në Tiranë në prill çoi në sekuestrimin e 1 milion eurove cash dhe prangosjen e disa personave të përfshirë në një rrjet ndërkombëtar mashtrimi.
Hetimi dyvjeçar, i koordinuar me autoritetet gjermane dhe austriake, zbuloi tre qendra call center pranë Kopshtit Zoologjik dhe Rrugës së Kavajës që shënjestronin qytetarët evropianë përmes platformave të rreme të investimeve./ Zoom.al