Aplikacion
Disa raportime mediatike të bazuara në informacione policore dhe burime operative, kanë hedhur dritë mbi një rrjet të pretenduar kriminal që dyshohet se operon në fushën e mashtrimit përmes “Call Centerave”. Sipas këtyre raportimeve, emrat e lakuar si pjesë e kupolës së këtij aktiviteti janë Flladi dhe Xhuljano Malaj, të identifikuar si nipat e ish-ministrit socialist Arben Malaj, si dhe Florian Sula, një personazh i njohur për policinë.
Nga Zoom.al
Një tjetër grup që dyshohet se ka përfituar milarda lekë nga mashtrimet është ekspozuar nga disa investigime mediatike.
Sipas mediave që kanë publikuar këto të dhëna, ky grup që ka në përbërje Flladi dhe Xhulio Malajn dhe Florian Sulën, dyshohet se po tenton të fusë të ardhurat e siguruara nga aktivitetet e paligjshme të mashtrimit me bursat Forex në ekonominë formale. Sektorët që përmenden si lavatriçe e këtyre parave janë disa.
I pari është ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme. Në media të ndryshme thuhet se janë marrë leje ndërtimi përmes personave të besuar që shërbejnë si “prestanome” dhe janë blerë prona nga Tirana deri në jug të vendit.

Në foto: Flladi Malaj
Sektori i dytë janë shërbimet dhe turizmi. Në lupë janë disa klinika dentare, bare, restorante dhe hotele në zonën e Borshit dhe Himarës.
Por cili është rrjeti i kompanive? Raportohet se ekziston një listë kompanish si BelleVue Dental Care, Acme studio, ARKA HOME, dhe Momentum Group, të cilat dyshohet se përdoren si mburojë, pasi thuhet se u mungojnë bilancet aktive.
Florian Sula ishte së fundmi në qendër të një ngjarje për shkak të një pengmarrjeje të pretenduar për një shumë prej 2 milionë eurosh. Ai dyshohet të jetë një prej aktorëve më aktivë në skemat e investimeve me anë të bursave Forex. Historia e tij prej biznesmeni ngre dyshime nga fakti se si një person pa historik të qartë biznesi ka arritur të investojë shuma të mëdha në bregdet.

Në foto: Florian Sula
Për vëllezërit Malaj, raportimet mediatike flasin për një rrjet që dyshohet se ka nisur aktivitetin që në vitin 2015 me dhjetëra pika në Tiranë, Vlorë dhe Fier. Pretendohet se baza e tyre e operimit është zona e “Komunës së Parisit” dhe “Selitës”, ku dyshohet se menaxhojnë grupe personash që kontaktojnë qytetarët europianë dhe i mashtrojnë duke u marrë paratë, përmes premtimeve se po financojnë në bursa dhe se fitimet janë të mëdha.
Deri më tani, këto pretendime mbeten në nivelin e raportimeve mediatike dhe akuzave publike që nuk janë vërtetuar ende. Megjithatë, volumi i informacionit të publikuar dhe emrat e përfshirë kanë rritur presionin publik ndaj institucioneve si Policia, Tatimet dhe SPAK për të kryer një verifikim të thelluar mbi ligjshmërinë e bizneseve të përmendura dhe burimin e pasurive të tyre./ Zoom.al
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës