zoom

Aktualitet

Mes “Le Iene”, SPAK dhe vetëdorëzimit: dëshmia që mund të ndryshojë narrativën e call center-ave

Mes “Le Iene”, SPAK dhe vetëdorëzimit: dëshmia që mund të ndryshojë narrativën e call center-ave


Nga denoncimet italiane te hetimi shqiptar, rasti i David Prendit ngre pyetje mbi kufirin mes biznesit të ligjshëm, përgjegjësisë penale dhe gjykimit publik

Zoom.al

Në Shqipëri, mjafton të përmendet fjala “call center” dhe narrativa duket gati: mashtrim, skemë kriminale, arrestime dhe milionat e humbura të qytetarëve europianë. Prej muajsh, operacionet e SPAK dhe BKH kundër këtij fenomeni janë kthyer në refren mediatik, ku titujt prodhojnë dënime morale shumë më shpejt sesa arrijnë provat të flasin.

Por rasti i fundit i hetuar në Tiranë duket se fsheh më shumë nuanca sesa ato që janë servirur në publik.

Sepse në qendër të kësaj historie nuk është vetëm një operacion policor. Është një dosje që nis nga Italia, kalon përmes emisionit investigativ italian Le Iene dhe përfundon në tavolinën e prokurorëve të SPAK, mes materialeve të sekuestruara, serverëve të dëmtuar dhe një dëshmie që mund të ndryshojë mënyrën si është lexuar e gjithë çështja.

Në një kohë kur opinioni publik është mësuar të dëgjojë për “goditje të bujshme”, një detaj ka kaluar pothuajse në heshtje: David Prendi nuk u arrestua. Ai u vetëdorëzua.

Më 17 prill 2026, 28-vjeçari është paraqitur vetë pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, duke u vënë në dispozicion të Prokurorisë së Posaçme. Një lëvizje që, në aspektin procedural dhe hetimor, ka peshë krejt tjetër nga narrativa e një personi të kapur në arrati.

Dhe pikërisht këtu nis edhe dilema e madhe e kësaj dosjeje.

Nga “Le Iene” te SPAK

Sipas materialeve të administruara nga autoritetet shqiptare, hetimi mori shtysë pas denoncimeve dhe dokumentacionit të siguruar nga emisioni investigativ italian Le Iene. Në qendër të interesimit të gazetarëve italianë ishte një kompani shqiptare e dyshuar për mashtrim ndaj shtetasve italianë përmes kontratave të energjisë, gazit apo shërbimeve të tjera.

Dëshmitë e qytetarëve italianë, së bashku me materialet e mbledhura nga emisioni, iu referuan SPAK-ut, i cili më pas ndërmori operacionin në një prej ambienteve të biznesit në qendër të Tiranës.

Por ndërsa publiku pa vetëm pamjet e kontrolleve dhe emrat e personave të shpallur në kërkim, në dosje po ndërtohej një panoramë shumë më komplekse.

“Jam administratori i vetëm”

Në dëshminë e tij para autoriteteve, David Prendi ka deklaruar se është administratori i vetëm i kompanisë “Infinit” SHPK, një subjekt që sipas tij operonte me rreth 20 punonjës në aktivitet call center.

Sipas deklarimeve të dhëna në organet hetimore, kompania ofronte shërbime telefonike marketingu, lidhje kontratash për energji elektrike, gaz, ujë, si dhe gjenerim databazash dhe programime të ndryshme për klientë të huaj.

Por pjesa më delikate e dëshmisë lidhet me raportin e tij me emrat që sot përmenden si persona në kërkim.

Prendi ka deklaruar se njeh vëllezërit Arjan dhe Alfred Prekaj, ndërsa për Agim Prekajn ka sqaruar se ishte pacient në klinikën e tij të fizioterapisë. Në asnjë moment, sipas burimeve pranë dosjes, ai nuk ka pranuar që personat e shpallur në kërkim të kenë qenë pjesë e kompanisë apo të përfshirë në aktivitetin e saj.

Një distancim që hetuesit pritet ta verifikojnë përmes ekspertimeve kompjuterike, komunikimeve dhe dokumentacionit financiar.

Problemi i narrativës së gatshme

Në Shqipëri, historia e call center-ave është bërë aq e konsumuar, sa shpesh emri i një kompanie mjafton për ta kthyer automatikisht në sinonim të mashtrimit.

Ajo hap një panoramë shumë më të gjerë mbi një fenomen që prej vitesh funksionon në kufijtë mes ligjshmërisë dhe paligjshmërisë, një sektor që për shumëkënd përfaqëson një biznes fitimprurës, por që në raste të caktuara ka ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën e funksionimit dhe kontrollit të tij.

Sipas burimeve nga terreni dhe personave që pretendojnë njohje të mekanizmave të hetimit, aktiviteti i call center-ave në Shqipëri shtrihet në një shkallë të konsiderueshme, ku raportohen mbi 3 mijë njësi të vogla dhe të mesme që operojnë në forma të ndryshme. Një pjesë e tyre funksionojnë si biznese të ligjshme të shitjeve dhe shërbimeve, ndërsa një pjesë tjetër ka qenë objekt dyshimesh, denoncimesh dhe procedimesh që lidhen me mashtrime të organizuara, kryesisht me shtetas të huaj.

Prej kohësh kanë qarkulluar edhe pretendime për ndikim, tolerim apo ndërhyrje të mundshme nga individë të ndryshëm në struktura të rendit dhe institucione të tjera. Në disa rrëfime te zyrtarëve që nuk pranojnë të identifikohen, përmenden edhe shifra të konsiderueshme financiare që dyshohet se mund të lidhen me funksionimin e këtyre rrjeteve, përfshirë pagesa të pretenduara që sipas tyre arrijnë deri në 800 euro për punonjës, në varësi të numrit të stafit dhe strukturës së aktivitetit.

Megjithatë, nuk dihet nese deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, vjen si një sinjal i drejtpërdrejtë për vetë strukturat e rendit. “Cilido që do mbajë lidhje apo do favorizojë grupet kriminale do të përjashtohet nga Policia dhe do të merret drejtësia me të”, deklaroi ai.

Ky mesazh vjen në një moment kur diskutimet mbi raportet mes strukturave kriminale, interesave ekonomike dhe institucioneve janë bërë gjithnjë e më të forta. Deklarata nuk i referohet drejtpërdrejt një rasti konkret, por krijon një kontekst të ri mbi nevojën për një distancim të qartë institucional nga çdo individ që mund të përdorë funksionin publik për të favorizuar interesa të paligjshme.

E njëjta gjë vlen edhe për pretendime të tjera që qarkullojnë në mënyrë informale mbi mënyrën se si funksionon ky sektor dhe ndikimet e mundshme në nivele të ndryshme. Deri më sot, ato nuk janë provuar institucionalisht dhe nuk mund të trajtohen si fakte të provuara.

Në mungesë të transparencës së plotë dhe përfundimeve hetimore, rreziku mbetet i njëjtë: prova të pamjaftueshme, dyshime të shumta dhe një terren ku kufiri mes perceptimit dhe realitetit bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u dalluar.

Në fund, pyetja nuk mbetet vetëm se çfarë po hetohet, por edhe si po raportohet. Sepse kur kufiri mes faktit dhe dyshimit zbehet, atëherë edhe vetë e vërteta bëhet më e vështirë për t’u identifikuar./Zoom.al

Postime të lidhura