Aplikacion
Vetëm pak orë pas deklaratave ironike të kryeministrit Edi Rama ndaj Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka ndërmarrë një aksion ndaj Ergys Agasit, i cilësuar nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj si “koordinatori” i kryeministrit me grupet kriminale.
Sipas burimeve zyrtare, SPAK ka lëshuar masë arresti ndaj Agasit, ndërsa agjentët e BKH-së kanë zhvilluar kontrolle në zonën e Kodrës së Diellit. Hetimet lidhen me 12 procedura tenderuese të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Aksioni vjen në një klimë tensioni institucional, pas deklaratave të kryeministrit Rama, i cili të dielën ironizoi hetuesit e BKH-së, duke i quajtur “trimosha” dhe duke ngritur pretendime për shkelje të rregullave të sigurisë gjatë hyrjes së tyre në ambientet e Këshillit të Ministrave. Rama theksoi se mbështet Reformën në Drejtësi, por paralajmëroi se “kura nuk duhet të kthehet në një problem më të madh se sëmundja”, duke nënvizuar nevojën për reflektim institucional.
Në reagim, Byroja Kombëtare e Hetimit hodhi poshtë akuzat e kryeministrit, duke sqaruar se hetuesit kanë respektuar rregulloren e sigurisë dhe kanë depozituar armët sipas procedurave. BKH theksoi se nuk ka pasur asnjë debat apo përplasje me Gardën e Republikës gjatë ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Kohë më parë, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj do të hidhte akuza të rënda ndaj Ergys Agasit, duke e përshkruar si një figurë kyçe që lidh politikën me krimin e organizuar dhe biznesin. Sipas Ahmetajt, Agasi, ndonëse pa funksion zyrtar, ka ushtruar ndikim të madh në vendimmarrjet qeveritare dhe në strukturat e Partisë Socialiste, veçanërisht në Durrës.
Ahmetaj deklaroi se Agasi kishte organizuar takime mes përfaqësuesve të politikës, krimit dhe biznesit, duke përmendur edhe një aktivitet në një resort në periferi të Tiranës. Akuza të ngjashme janë raportuar edhe nga gazetarja Klodiana Lala, e cila ka ngritur dyshime për ndikimin e Agasit në emërime dhe vendimmarrje lokale.
Këto pretendime janë ripërsëritur edhe në dokumentarin investigativ të emisionit “Report” në RAI 3, ku Ahmetaj, i intervistuar nga gazetari Giorgio Mottola, e cilësoi Agasin si “koordinatorin” e marrëdhënieve mes qeverisë dhe grupeve kriminale. RAI 3 theksoi se Agasi ishte biznesmen dhe ish-zyrtar, pa precedentë penalë, por emri i tij është përmendur shpesh në media për lidhje të dyshuara me persona të botës së krimit.
Hetimet e SPAK për këto çështje vijojnë, ndërsa institucionet e drejtësisë nuk kanë dhënë ende detaje të tjera mbi akuzat konkrete ndaj Ergys Agasit./ Zoom.al
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës