zoom

Aktualitet

Vëllai i ambasadorit të Shqipërisë në OKB, pjesë e grupit të Ergys Agasit në tenderat e AKSHI

Vëllai i ambasadorit të Shqipërisë në OKB, pjesë e grupit të Ergys Agasit në tenderat e AKSHI

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025 ndaj 8 shtetasve, të dyshuar për një sërë veprash të rënda penale të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, me fokus manipulimin e tenderave publikë, konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë dhe pastrimin e parave, në disa tendera të AKSHI.

Sipas SPAK, grupi kriminal ka vepruar në mënyrë të organizuar për të favorizuar kompani të paracaktuara në procedura tenderimi, duke vendosur kritere specifike jashtë ligjit dhe duke ushtruar presion ndaj subjekteve konkurruese, me qëllim që këto të fundit të hiqnin dorë nga ankimet pranë institucioneve përkatëse. Një praktikë që, sipas hetimeve, ka ndikuar drejtpërdrejt në ndryshimin e renditjes së fituesve dhe deformimin e garës së lirë.

Hetimet zbulojnë se përfaqësues të disa kompanive janë kërcënuar dhe detyruar të mos ankimojnë procedurat e tenderimit, ndërsa administratorë të tjerë kanë marrë pjesë formalisht në gara, duke lëshuar fatura tatimore fiktive dhe duke kryer transaksione financiare për kompani që realisht nuk ishin pjesë e procesit.

Më 15 dhjetor 2025, SPAK i është drejtuar Gjykatës së Posaçme për caktimin e masave të sigurisë, ndërsa një ditë më pas, më 16 dhjetor, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ekzekutuar vendimet për disa nga të dyshuarit.

Gjykata ka caktuar masën e “arrestit në burg” për dy shtetasin Egrys Agasi, (koordinatori i mes grupeve më të mëdha kriminale në vend dhe kryeministrit Rama, sipas denoncimit të bërë nga ish -zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj) dhe Ermal Beqiraj, të dyshuar për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash. Të dy masat, sipas SPAK, janë ende të paekzekutuara.

Sipas kreut të opozitës, Sali Berisha, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj janë larguar prej 3 javësh në Dubai. Berisha tha se ata kanë pasur informacion për hetimet dhe veprimet e SPAK, duke përmendur edhe një lidhje të Agasit me drejtoreshën e Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), Vlora Hysesni. 

Pavarësisht akuzës së rëndë, Hyseni nuk ka reaguar. 

Ndërkohë, masa e “arrestit në shtëpi” është caktuar për drejtoren e AKSHI, Mirlinda Karçanaj dhe nëndrejtoren Hava Delibashi, të dyshuara për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal.

Për nëndrejtorin e policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, është vendosur pezullimi nga detyra publike dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit. Ndërsa për tre shtetas të tjerë, Gëzim Hoxha, Andis Papa dhe Rogers Rryga GJKKO ka caktuar masën “ndalim i daljes jashtë shtetit”, për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Një element me peshë politike në këtë hetim është fakti se Gëzim Hoxha është vëllai i ambasadorit të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ferit Hoxha. Dyshohet se pëmes kompanive të tij në fushën e IT, Hoxha kishte lëshuar fatura fiktive për kompanitë e Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit. Përfshirja e Gëzim Hoxhës në një procedim penal të SPAK për pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal ngre pikëpyetje serioze për ndikimet, lidhjet dhe përgjegjësitë që shkojnë përtej individëve të dyshuar.

SPAK bën me dije se hetimet janë në vijim, me synim zbulimin e fakteve të tjera penale dhe identifikimin e subjekteve të tjerë të përfshirë, duke lënë të hapur mundësinë e zgjerimit të dosjes në nivele të tjera administrative dhe institucionale. /Zoom.al

Postime të lidhura