Aplikacion
Detaje të reja mësohen lidhur me aksionin e Prokurorisë së Posaçme ku kërkohet arrestimi i Ergys Agasit, biznesmenit të përmendur shpesh si bashkëpunëtor i krimit.
SPAK ka zbuluar se Agasi në bashkëpunim me Ermal Beqirajn, tjetër biznesmen dhe anëtarë të policisë së shtetit kanë rrëmbyer biznesmenin Gerond Meçe i cili është tërhequr më pas nga tenderat në lidhje me AKSHI-n. Pas disa orësh shantazh ai është detyruar që të heqë dorë edhe nga ankimimet në lidhje me tenderat, që më vonë i janë dhënë biznesmenit Ermal Beqiri.
Në masën e arrestit në shtëpi është dërguar dhe Mirlida Karçanaj, drejtuese e AKSHI-t.
Në lidhje me këtë operacion, masë pezullim nga detyra është vendosur edhe për Erjon Ismailin, zëvendës drejtor i policisë së Tiranës.
Gjatë ditëve të fundit, hetuesit kanë marrë në pyetje 25 zyrtarë të AKSHI-t, që janë kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarë të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave.
SPAK pritet që në vijim të ketë një deklaratë publike për mediat. Hetimet për këtë çështje kanë nisur një vit më parë dhe prokuror i çështjes është Bledar Maksuti.