Aplikacion
Komisioni i Prokurimeve Publike është përballur ditët e fundit me një situatë të paprecedent.
Kompania ABS-Advanced Business Solutions e Gerond Meçes rezulton se kishte bërë një kërkesë në sistem për t’u tërhequr nga të gjitha ankimimet që kishte bërë për tenderat e AKSHI-Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, të fituara nga kompania Soft & Solution e Ermal Beqirit, një personazh i vënë shpesh në qendër të vëmendjes së opinionit publik që nga koha e video-përgjimit të Ilir Metës, regjistruar nga Dritan Prifti.
Por kompanka ABS, e vënë në dijeni nga KPP, reagoi duke deklaruar zyrtarisht se ajo nuk ishte tërhequr nga ankimimet për tenderat e AKSHI-t. Sipas saj, dikush tjetër që kishte piratuar llogarinë e saj në e-Albania, një sistem që menaxhohet nga vetë AKSHI, i cili është në ngërç prej shumë kohësh për shkak të ankimimeve të ABS.
Në dokumentin urgjent të paraqitur nga ABS dhe partnerët e saj në Datalog, thuhej qartë se persona të paautorizuar kishin ngarkuar në platformë dokumente false që deklaronin “dorëheqje nga ankimet”. Ky zhvillim duket se ka zbuluar një skandal të përmasave të mëdha me tenderat publikë.
Për të kuptuar se çfarë ka ndodhur i duhet dhënë përgjigje pyetjes se kush kushte interes që ABS e Gerond Meçes të tërhiqej nga ankimimet?
Ankesat për tenderat kanë prekur drejpërdrejtë kompaninë e Ermal Beqirit dhe vetë AKSHI-n që nuk po merr dot shërbimet e tenderuara.
Prej më shumë se një dekade, emri i Gerond Meçes është i lidhur ngushtë me tenderat e AKSHI-t. ABS ishte kontraktori kryesor i Agjencisë deri në vitin 2023, kur befas iu mbyll çdo derë e fondeve publike. Vendin e tij e mori Soft & Solution, e Ermal Beqirit.
Që nga ajo kohë, ABS ka ankimuar pothuajse çdo tender të AKSHI-t, duke e çuar Agjencinë thuajse në një kolaps të plotë me prokurimet. Por teksa AKSHI nuk ka arritur të mbyllë dot asnjë procedurë të madhe, Soft & Solution ka vazhduar të fitojë kontrata me vlerë miliona euro.
Pikërisht në këtë pikë, ndërhyrja e paautorizuar në llogarinë e ABS për të tërhequr ankimet duket se favorizon drejtpërdrejt Ermal Beqirin dhe AKSHI-n.
Dyshimet bëhen edhe më të forta nëse shohim historikun e të dyve, si të Ermal Beqirit ashtu edhe të AKSHI-t.
Përsa i përket AKSHI, disa skandale të njëpasnjëshme kanë treguar se sistemet e saj janë piratuar në forma të ndryshme, siç ishte sulmi i iranianëve.
Ndërsa Ermal Beqiri, para se të bëhej fituesi i madh i tenderave të IT-së, ka qenë një figurë e lidhur me çështje delikate të sistemeve kompjuterike shtetërore.
Në vitin 2011, inxhinieri elektronik nga Gjirokasta, në atë kohë 30 vjeç, dhe drejtor i Teknologjisë së Informacionit në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, u përzgjodh si një prej ekspertëve në procesin që po zhvillohej në Gjykatën e Lartë ndaj ish.zv.kryeministrit, Ilir Meta.
Ekspertiza e tij dhe ekspertëve tjerë konkludoi se video-përgjimi i bërë nga Dritan Prifti kishte pasur ndërhyrje. Falë këtij konkluzioni Ilir Meta u shpall i pafajshëm.
Në fund të vitit 2013, emri i Beqirit u përmend në të ashtuquajturin “skandal i serverit të Tatimeve”, ku deputeti Spartak Braho dhe eksperti Ermal Beqiri hynë në ambientet e serverit qendror për një kontroll të dyshimtë. Më pas, u zbulua se Beqiri kishte qenë këshilltar informatik pranë kabinetit të kryeministrit Edi Rama.
Po ashtu, dëshmi të bëra publike në Komisionin Hetimor Parlamentar të vitit 2016 për “serverin e Tatimeve” e lidhën Beqirin edhe me auditime të tjera sensitive, së bashku me persona pranë politikës. Hetimet penale të asaj kohe nuk provuan ndërhyrje të paligjshme, por mbi emrin e tij u ngritën dyshime të shumta.
Në vitin 2015 ai shfaqet si drejtor i IT-së në Drejtorinë e Hipotekës, dhe pikërisht gjatë asaj periudhe kompania Soft & Solution nisi të fitonte tendera të njëpasnjëshëm në atë institucion. Raportime mediatike të kohës aludonin se Beqiri mund të fshihej pas Soft & Solution, ndonëse zyrtarisht ajo ishte në pronësi të një bashkëpunëtoreje të tij.
Tani, lufta mes tij dhe Gerond Meçes ka vënë edhe njëherë në dyshim sigurinë e sistemeve kompjuterike shtetërore që menaxhohen nga AKSHI.
Nëse një kompanie private që mbron infrastrukturën kibernetike të shtetit, si ABS, mund t’i hyhet në llogari në e-Albanja dhe t’i manipulohen dokumentat, siguria dhe serioziteti i AKSHI kanë prekur fundin.
Imagjinoni se çfarë garancie kanë qytetarët shqiptarë për të dhënat e tyre personale.
Hyrja e paautorizuar për të tërhequr ankimet nuk është vetëm një hile për ta nxjerrë ABS nga loja, por ajo zbulon se me çfarë shteti kemi të bëjmë dhe se si mund të manipulohet me kaq lehtësi edhe një platformë shtetërore, të cilën AKSHI e promovon si “garant” të shërbimeve online dhe si hallkë kyçe të qeverisjes digjitale.
Se kush hyri në sistem dhe si arriti ta bënte, këtë mund ta thotë vetëm AKSHI i Mirlinda Karçanajt. Kush do të përfitonte? Kjo pyetje s’ka nevojë për përgjigje. /Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari